Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet në javën e ardhshme që të detajojë planet e largimit të saj nga qeveria.

Kreu i grupimit më të fuqishëm konservator në vend, Graham Bredi, deklaroi për korporatën britanike të lajmeve, BBC, se afatet mund të bëhen të ditura të mërkurën pas takimit që ai do të mbajë me kryeministren.

Bredi shihet si figura më e mundshme që mund ta marrë përkohësisht postin e kryetarit të qeverisë në rast se kriza për Brexit me opozitën do të thellohej.

Por 51-vjeçari thekson se situatën politike jashtëzakonisht të vështirë në vend mund ta zgjidhë vetëm një udhëheqës me kohë të plotë.

Kryeministrja Mej në fillim të marsit premtoi se do e japë vetë dorëheqjen sapo parlamenti të ratifikojë marrëveshjen Brexit.

Marrëveshja është refuzuar dy herë nga shumica parlamentare, dhe për të zgjidhur ngërçin, palët prej një muaji janë përfshirë në negociata intensive.

Synimi i tyre mbetet shkëputja e vendit nga Bashkimi Europian brenda 31 tetorit 2019 ose mundësisht më herët.

Deputetë të ndryshëm konservatorë dhe laburistë i kërkuan këtë javë liderëve të tyre që t'i japë fund bisedimeve, pasi ato vetëm sa po dobësojnë pozitat e tyre përpara zgjedhjeve të afërta europiane.

Ata druhen se mund të përsëriten rezultatet negative që pësuan javën e kaluar në zgjedhjet vendore veçanërisht për shkak të Brexit.

/Ora News.tv/