Policia indiane ka arrestuar 16 persona për vrasje e dy burrave, të cilët ishin viktimat e fundit të histerisë  së thashethemeve në WhatsApp për ekzistencën e një grupi aktiv që rrëmben fëmijët.

Dy viktimat kishin ndaluar në veri-lindje të shtetit të Assam-it për të kërkuar udhëzime, kur u rrahën për vdekje nga një turmë e madhe njerëzish.

Thashethemet për rrëmbim të fëmijëve po përhapen në Indi përmes WhatsApp-it dhe vetëm muajin e kaluar u kanë marrë jetën 6 personave.

Policia thotë se është e vështirë të kontrollojë dhe bllokojë mesazhet në mediat sociale.

"Kur thashethemet fillojnë të qarkullojnë në mediat sociale, duhet kohë për t'i ndaluar plotësisht", tha zyrtari i lartë i policisë Mukesh Agarwal për BBC, duke shtuar se policia po vëzhgonte faqet e ndryshme të mediave sociale për të ndalur përhapjen e mesazheve.

Dy viktimat e fundit janë identifikuar si Nilotpal Das, një inxhinier audio dhe Abijeet Nath, artist dixhital - të dy banorë të Guwahatit, qyteti më i madh në Assam.

Policia thotë se të dy u sulmuan kur ndaluan në një fshat për të kërkuar informacion.

Në një video nga sulmi e cila u bë virale gjatë fundjavës, shihej një nga burrat duke u lutur për jetën e tij. 

Të dielën, studentët dhe aktivistët mbushën rrugët e Guwahatit për të protestuar kundër vrasjeve.

Qeveria ka deklaruar se ka marrë masa konkrete për ti dhënë fund këtij episodi thashethemesh e panikut në rajon.

Nuk është e qartë se kur dhe si filluan thashethemet, por India ka parë incidente sporadike të drejtësisë dhe të vigjilencës së turmës edhe në të kaluarën.

Në disa raste, video-mesazhe të sajuara që tregojnë  fëmijë që rrëmbehen në rrugë janë bërë virale duke nxitur vendasit që të rrahin të gjithë ata njerëz që janë të panjohur apo nuk mund të flasin gjuhën rajonale.

/Ora News.tv/