Thaçi u tërhoq, Tirana të heshtë!

Thaçi u tërhoq, Tirana të heshtë!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u tërhoq mençurisht nga projekti  fillestar i shkëmbimit të territoreve, si pjesë e negociatave  Kosovë-Serbi. Ai tashmë e ka lexuar mirë dhe drejtëpërsëdrejti mesazhin  më të fundit amerikan për këtë çështje.

Më vonë do të dalin padyshim detajet e duhura, që do të kënaqin  kureshtjen e mediave, në lidhje me qëndrimin amerikan, i cili, me sa  duket, është bashkërenduar me qëndrimin e Berlinit, që ka qenë kundra  kësaj, që në krye të herës.

Në këtë debat të fortë gjeopolitik, për parashtrimin fillestar, të  mënyrës se si do të bëhej një marrëveshje e qëndrueshme paqeje ndërmjet  dy shteteve, Kosovë dhe Serbi, në Tiranë doli më qartë, qëndrimi i ish  Kryeministrit Berisha dhe qëndrimi i Presidentit Meta. Të cilët shprehën  kundërshtinë e tyre të vendosur që në krye të herës.

 Mirëpo për askënd nuk është e qartë deri në fund, nëse kjo çështje është  mbyllur përfundimisht, sepse kundërshtia e Haradinajt dhe e Albin  Kurtit në Kosovë, është thelbësore, por jo e mjaftueshme, përderisa  gjërat të dalin hapur dhe në dritën e diellit.

 Edhe qëndrimi amerikan në lidhje me këtë, është më shumë i nënkuptuar se  sa i artikuluar kthjelltësisht, por zbythja e Thaçit dhe belbëzimi i  Ramës, janë domethënës.
 Personalisht, nuk kam menduar deri tash, se kjo ka qenë një nisëm qëllim  keqe dhe e sponsorizuar nga Moska apo Beogradi, por ndoshta, në rastin  më të mirë, një gabim trashanik në përllogaritje dhe një nxitim për të  kapur “trenin e historisë”.

Deklarata e Presidentit serb Vuçiç me rastin e vizitës së Putinit në  Beograd, për rolin thelbësor rus në marrëveshjen Beograd-Prishtinë,  ishte një kambanë e kumbueshme alarmi, që largoi çdo iluzion, se kjo  marrëveshje, do të ishte, thjesht një marrëveshje dypalëshe.

 Ndoshta kjo përcaktoi një qëndrim më të vëmendshëm dhe të ndryshëm  amerikan, shprehimisht kundër shkëmbimit të territoreve, që lexohet  qartësisht në fjalët më të fundit të Hashim Thaçit, që u paraqit në  mediat e Tiranës, i zbehur dhe i pamotivuar për të mbrojtur parashtrimin  e tij fillestar, madje duke e mohuar krejtësisht atë.

Mbështetja e Tiranës ishte e fuqishme, por e tërthortë. Intervista e  pakujdesshme e Gentian Cakës te Baton Haxhiu, ku foli për shkëmbime  territoresh dhe katapultimi i tij ministër i jashtëm, duke shkarkuar  Ditmir Bushatin, që ishte shprehur kundra kësaj, zbuluan bashkëpunimin  Thaçi-Rama.

 Rezistenca institucionale e Ilir Metës, si president, e vuri në fokus  çështjen në fjalë dhe zgjoi një interes të pazakontë, sidomos në lidhje  me pa-natyrshmërinë e shkarkimit të ish Ministrit Bushati. Dhe kështu  bomba gjeopolitike plasi hapur edhe në Tiranë dhe pati një debat të  zjarrtë dhe të përgjithshëm.

 Tani gjërat janë më të qarta, por gjithmonë larg të vërtetave  përfundimtare, të cilat tani për tani, nuk munden të ndikojnë në të  sotmen dhe të nesërmen e kësaj çështjeje. Vetëm nëse Ditmir

Bushati vendos të flasë, mund të hedhë realisht dritë, por kjo, me sa duket, nuk është në natyrën e tij.

 Rama vizitoi me ngut dhe në mënyrë informale Prishtinën, për të kuptuar  më shumë se në çfarë valleje gjeopolitike ishte futur apo e kishin  futur, Hashimi dhe këshilltari i tyre i përbashkët, Baton Haxhiu. Pa  dashur të paragjykojmë, qëllimin e mirë, kjo marrëveshje ju vdiq ndër  duar dhe çdo shpresë për ta ringjallur, do të ishte tashmë e dënueshme.

 Tirana zyrtare bën mirë që hesht në këtë fushë. Është në nderin e shqiptarëve dhe të vetin, që ta bëjë këtë, tani e mbrapa

EMISIONET