Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi këmbënguljen e qeverisë për të mos lëshuar pe përballë kërkesave amerikane dhe evropiane për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Në një postim në rrjetin facebook ai tha se teket personale të asnjë udhëheqësi shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë

Duke theksuar se suksesi historik i Kosovës do të ishte i pamundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tjerë perëndimorë, ai nënvizoi se “miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane”.

Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore, shkori ai, “janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit.

Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës.

Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë.

Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në.

Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë”, shkroi ai.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja si kundërpërgjigje ndaj siç u tha fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian, reagoi duke kërkuar heqjen e këtyre tarifave madje dërgoi dy herë brenda një periudhë të shkurtër në Prishtinë, komisionarin Johannes Hahn për të diskutuar këtë çështje. Pezullimin e tarifave e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e tyre, ndërsa qeveria e Kosovës thekson se tarifat do të hiqen si pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për njohjen e ndërsjellë.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane. Por tensionet e larta të muajve të fundit i kanë pezulluar bisedimet të cilat ishte planifikuar të bëheshin më të dendura në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse detyruese normalizimi.

Prishtina pohon se është e gatshme të vazhdojë procesin e bisedimeve, por nuk ka siguruar konsensus të gjerë në skenën politike rreth këtij procesi, ndërsa pajtimi brenda koalicionit qeverisës lidhur me tarifat ndaj Serbisë, po lëkundet nën trysninë perëndimore, duke lëkundur edhe vet qeverinë. /VOA/

/Ora News.tv/