Thaçi i përgjigjet ashpër Berishës: S'duam këshilla nga ata që bënë tregti me Millosheviçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, por pa i përmendur emrin, pasi ky i fundi deklaroi se nuk mund të bëhet tregti me Luginën e Preshevës. 

Në një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se nuk ka shkëmbim territoresh, por bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën.

Thaçi shkruan se nuk mund të marrë kritika nga ata që kanë bërë tregti me Millosheviçin,

Reagimi i plotë i Thaçit: 

Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore.

Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB.

Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi.

Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës, është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike.

Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.

Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 - 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste.

Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare.

EMISIONET