Përkundër mungesës së përkrahjes politike nga opozita, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i gatshëm që të raportojë dhe ballafaqohet me debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me procesin e bisedimeve me Serbinë.

Gjatë javës së ardhshme, ai ka paralajmëruar një takim me spektrin politik në përpjekje të formimit të një ekipi të ri negociator, gjithëpërfshirës. Thaçi po i fton të gjithë përreth tij, ndërkaq nuk ka dhënë asnjë sinjal se është i gatshëm që të lëshojë rolin e tij prijës në dialog.

Aktualisht, ai është në kërkim të sigurimit të mbështetjes nga një numër më i madh i partive politike, kryesisht atyre opozitare, për të udhëhequr fazën finale të dialogut me Serbinë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe i cili është thënë se do të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht obligative për të dyja palët.

Zyra e presidentit të Kosovës ka bërë të ditur se presidenti, Hashim Thaçi do të jetë i gatshëm të raportojë në Kuvend sa herë që kërkohet nga ai lidhur me takimet e tij në Bruksel me homologun nga Serbia, Aleksandar Vuçiq. Këshilltari i presidenti, Bekim Çollaku tha për Radion Evropa e Lirë se presidenti është shumë i përgatitur dhe i gatshëm që këtë proces ta udhëheqë në mënyrë të përgjegjshme, institucionale dhe transparentet.

Ai theksoi se për këtë qlllim, në mënyrë publike u ka bërë ftesë të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe mediave që të jenë të përfshirë në këtë proces.

"Sa i takon llogaridhënies, mendoj se ky është një element jetik në gjithë këtë proces dhe duke pasur këtë ne konsideratë presidenti i Republikës së Kosovës është i gatshme që të raportojë apo të informojë Kuvendin e Kosovës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, aq herë ose kurdo që Kuvendi i Kosovës e kërkon një gjë të tillë", tha Çollaku.

Transparencën rreth dialogut të Brukselit dhe raportimet në Kuvend i ka kërkuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Por, përderisa Thaçi shprehet i gatshëm të raportojë në Kuvend, opozita ka një hall tjetër me presidentin e Kosovës. Partitë opozitare po kërkojnë nga ai që të tërhiqet nga ky proces, duke ia mohuar atij rolin prijës në këto bisedime.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kishte deklaruar se presidenti po i shfrytëzon mekanizmat kushtetues të cilët i japin atij legjitimitet në këtë proces, por ka nënvizuar ai, dialogu pa opozitën do të dështonte.

Ndërkaq, Dardan Sejdiu, deputet i subjektit opozitar, Partia Social Demokrate thotë se Presidenti i Republikës duhet të ketë parasysh se rolin kryesor në dialog duhet ta ketë Kuvendi i Kosovës.

“Rrjedhimisht duhet të kërkohet raportim. Në të njëjtën kohë, ashtu siç ka raportuar PSD-ja, Kuvendi duhet të jetë bartës i dialogut e edhe platforma edhe ekipi dhe pas çdo takimi duhet të raportohet në Kuvend. Edhe në tryezën e PSD-së, ne e kemi propozuar këtë plan. Kjo është ajo çka ne mendojmë se siguron që të mbrohen interesat nacionale të Republikës, e jo interesat persona të presidentit", tha Sejdiu.

Në anën tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, thonë se Kuvendi duhet ta ketë rolin e vet në dialog, por më shumë në procesin e miratimit apo ratifikimit të marrëveshjes apo marrëveshjeve që mund të arrihen.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj tha për Radion Evropa e Lirë se sipas Kushtetutës, presidenti i vendit është i obliguar t'i raportojë Kuvendit një herë në vit, por meqenëse fjala është për një proces të rëndësishëm për vendin, sipas tij, ‘presidenti duhet të jetë i obliguar, nëse do të jetë në krye të delegacionit për bisedime me Serbinë që të raportojë në Kuvendin e Republikës, pas çdo takimi’.

“Çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në negociata që zhvillohen në Bruksel, për ne është i pavlerë nëse më parë nuk do të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës", tha Nitaj.

Pas takimit të fundit në Bruksel, ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiq që u zhvillua më 24 qershor në Bruksel nën lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, si konkluzion i përbashkët ishte që dialogu të intensifikohet, në mënyrë që të arrihet sa më shpejt deri te një marrëveshje përfundimtare që do të çonte në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pika më e nxehtë e këtyre bisedimeve mbetet çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi insiston që ky Asociacion apo kjo Bashkësi siç e quajnë në Beograd, të ketë kompetenca ekzekutive, përderisa Prishtina është pajtuar që Asociacioni të jetë një ndërlidhje e komunave të banuara nga përfaqësuesit e komunitetit serb, pa ndonjë kompetencë ekzekutive./REL/

/Ora News.tv/