Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raportuar para kabinetit qeveritar, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

Ai tha se ky informim i tij para anëtarëve të Qeverisë duhet të kuptohet si përkushtim për të qenë transparent dhe llogaridhënës, për këtë proces.

Por theksoi se është për keqardhje që partitë politike, ende s’kanë arritur hartimin e një platforme të përbashkët për bisedimet. Megjithatë pohoi se shpreson që liderët e partive politike, do ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve dhe mbi të gjitha ndaj qytetarëve të vendit.

Presidenti i vendit, sërish i bëri thirrje spektrit politik që të bëhen pjesë e delegacionit dhe se patriotizmin e dijen e tyre, ta tregojnë në tryezën e bisedimeve

Ndërsa tha se në bisedime e kanë bërë të qartë se Kosova është përcaktuar dhe e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë, me garanci ndërkombëtare. Ndërkaq pohoi se në këtë takim i kanë bërë të qartë që Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim dhje se është koha e fundit që BE ta marrë vendimin për këtë çështje.

Presidenti po ashtu para kabinetit qeveritar, theksoi se në takimin e palëve të përfshira , Kosova e ka bërë të qartë se ka shtjerrë kompromiset e veta, të cilat janë të konkretizuara në planin gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisari, respektivisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se hapësira për kompromise shtesë nga ana e Kosovës, është shumë minimale.

Thaçi po ashtu theksoi se takimi ka përfunduar pa asnjë marrëveshje dhe se sipas tij, është naive të pritet që të ketë marrëveshje të shpejtë, pasi që procesi është shumë i vështirë. Mirëpo tha se të dy palët e përfshira në dialog, janë pajtuar që të bëjnë përpjekje të mëtejme, për të arritur marrëveshje dhe të mos lejojnë përshkallëzim të tensioneve apo provokime ndërshtetërore, me qëllimin e vetëm që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Ndërsa theksoi se takimi i radhës, pritet të ndodh në të ardhmen e afërt dhe se shpreson që të arrihet një konsensus sa më i gjerë politik. 

E kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se është inkurajues fakti që në vazhdimin e dialogut të përfshihen të gjithë. Sipas tij askush nuk e ka luksin që të tregohet indiferent, ndaj këtij procesi.

Raportin e Thaçit nuk e kanë dëgjuar anëtarët e kabinetit qeveritar që vijnë nga Nisma Socialdemokrate. Ministrat e as zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj nuk kanë marr pjesë në mbledhjen e Qeverisë /KosovaPress/

 

 

/Ora News.tv/