Thaçi: FA do të bëhen me vullnetin politik të të gjitha komuniteteve

Thaçi: FA do të bëhen me vullnetin politik të të

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se formimi i ushtrisë është drejt finalizimit.

Një një debat të hapur me shoqërinë civile u diskutua qëndrimi dhe mosmiratimi i

komunitetit serb për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Thaçi tha se në kuadër të përgjegjësive të tij kushtetuese ka nisur procesin e shndërrimit të FSK në Forca të Armatosura të Kosovës dhe është në fazën përfundimtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se transformimi FSK-së, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të saj, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve dhe në interes të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.

Ai ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi për askënd, ashtu siç nuk paraqet asnjë kërcenim as FSK-ja.

“Qëllimi i vetëm i FSK-së sot dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës nesër, do të mbetet i njëjtë. Është fuqizimi i paqes, stabilitetit në rajon dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se ky proces i filluar vite më parë, gradualisht është duke shkuar drejt fazës përfundimtare.

Kreu i shtetit ka folur edhe për debatin publik për transformimin e FSK-së, i cili, sipas tij, shpeshherë është përcjellë edhe me keqkuptime të reduktuara rreth pyetjes nëse duhet të përmbyllet ky proces përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimeve ligjore.

“Askush nuk mund ta bllokojë qëllimshëm këtë proces. Askush nuk mund të vë veto ndaj këtij procesi. Pavarësisht mënyrës sesi do të përfundojë procesi, ky është një proces kushtetues dhe ligjor. Po e theksoj këtë fakt për të hequr disa keqkuptime që mund të ekzistojnë tek disa shtete anëtare të NATO-s”, ka thënë ai.

Ndryshimet kushtetuese, sipas të parit të vendit, janë të domosdoshme vetëm në kuptimin simbolik, pra të ndërrimit të emrit të FSK-së në FAK, si dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, Kosova siguron një përfshirje më të gjerë të të gjitha komuniteteve, gjë që do ta bënte më të lehtë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

“Ne duam që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha komuniteteve të Kosovë. Është kjo mënyra më e mirë e mundshme për të arritur të gjithë së bashku te një vlerë tjetër shumë e rëndësishme përbashkuese e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se në këto vlera i bashkojnë të gjithë edhe Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, demokracia dhe votimet për pushtetin lokal dhe qendror të vendit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, gjykatat, rendi dhe ligji i Kosovës.

“Vetëm pak vite më parë ka qenë e paimagjinueshme, që shqiptarët dhe serbët do të votojnë së bashku, në të gjitha anët e këtij vendi, për përfaqësuesit e tyre në qeveritë komunale dhe vendore, që do të punojnë së bashku në Kuvend dhe në Qeveri, në polici, në dogana, në administratë tatimore dhe së fundmi edhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë”, ka thënë ai.

/Oranews.tv/

EMISIONET