Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, promovoi të martën, më 8 maj, në Berlin qëndrimin e Kosovës në prag të samitit të Sofjes si edhe veten.

Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës ka shumë besim tek fjala e kancelares Merkel. Po të qe për të, ai do të dëshironte që kancelarja të  angazhohej direkt në negociatat Serbi-Kosovë. sepse sipas tij , kanelarja Merkel "do t'i jepte energji, dinamikë, drejtim dhe përfundim të këtij procesi, me idetë e saj, me partnerët e saj, edhe në Bruksel, edhe në ShBA". Thaçi e tha këtë të martën në mbrëmje, në kuadër të një kumtese të mbajtur para anëtarëve të Këshillit Gjerman për Politikë të Jashtme (DGAP), pikërisht një ditë para takimit të tij me kancelaren Merkel në Berlin. Në krah të tij ishte edhe ambasadori Wolfgang Ischinger.

Takim konsultues

Kancelarja Merkel e pret Thaçin për t'u konsultuar me të në prag të samitit të Sofjes që do të mbahet më 17 maj, e ku do të mblidhen krerët e shteteve antare të BE-së dhe ato të vendeve të Ballkanit. Sipas njoftimeve të medias gjermane pjesëmarrja e Kosovës është bërë mollë sherri mes shteteve antare të BE-së, pesë prej të cilave nuk e kanë njohur shtetin tashmë dhjetëvjeçar.

Ambasadori Wolfgang Ischinger shfrytëzoi rastin të mërkurën të shprehte pritshmërinë e tij për samitin e Sofjes:  Zgjerimi i BE-së duhet përdorur si një ndër instrumentet e vendosjes së paqes në rajon, tha ai. Thaçi përforcoi në këtë kuadër kërkesën e tij që Ballkani Perëndimor të hyjë në BE si pako, e jo secili vend më vete, nisur nga konfliktet e shumta bilaterale mes vendeve, prej të cilave ai veçoi atë Serbi-Kosovë.

Kryetari  i Kosovës Hashim Thaçi vjen për herë të parë i ftuar nga kancelarja Merel në Berlin, ndryshe nga homologu i tij serb, Alexanadar Vuçiç, i cili vetëm gjatë këtyre tri muajve ka ardhur dy herë i ftuar nga kancelarja.

Thaçi e  shfrytëzoi rastin të prezantonte në Berlin edhe biografinë e tij botuar vitin kaluar në anglisht me titullin "New State, Modern Stateman", shkruar prej dy ish-autorëve të gazetës The Times, Roger Boyes (foto) dhe Suzzy Jagger.

Samiti i Sofjes konsiderohet shumë i rendësishëm pasi për herë të parë që nga  samiti i Selanikut në vitin 2003 do të trajtohet enkas anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Kancelarja Merkel ka pritur në dy muajt e kaluar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Fakti që thuajse të gjitha këto takime nuk ka pasur prononcime për media pas takimeve, dëshmon se ajo është duke krijuar një opion për qëndrimin e saj në samit. Pas takimit me Thaçin, Merkel do të presë treshen kryesuese të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët i ka ftuar për darkë.


/DW/

/Ora News.tv/