Thaçi: BE-ja na mashtroi për vizat

Thaçi: BE-ja na mashtroi për vizat

Mungesa e unitetit europian po pengon përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Kjo akuzë erdhi nga presidenti kosovar Hashim Thaçi, që gjithashtu foli me tone të ashpra për mos liberalizimin e vizave. Ai tha se kushti për realizimin e demarkacionit me Malin e Zi ishte një mashtrim.

Kosova e ka të pamundur të përparojë drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s për shkak të mungesës së unitetit europian.

Kjo deklaratë e ashpër vjen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që gjithashtu foli me tone të ashpra për mos liberalizimin e vizave.

Në lidhje me këtë të fundit, Thaçi përdori një gjuhë të ashpër, kur tha se kushti për demarkacioni me Malin e Zi ishte një mashtrim.

Thaçi: Kemi arritur të ratifikojmë marrëveshjen ndërshtetërore për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Mirëpo, e kam theksuar dhe në takim, realiteti i sotëm dëshmon se ky kriter i fundit që na është thënë se do të jetë për liberalizimin e vizave ka qenë vetëm një mashtrim dhe asgjë më tepër.

Kjo ishte konferenca e dytë e Thaçit pas Samitit të Berlinit, i cili nuk arriti të prodhonte një rezultat konkret për zhbllokimin e dialogut me Serbinë, ndërkohë të dy vendet do të takohen sërish në Paris më 1 korrik.

Kreu i Shtetit e përshkroi si inkurajuese angazhimin e Merkelit, Macronit dhe Mogherinit, por u shpreh i zhgënjyer që asnjë prej tyre nuk i kërkoi Serbisë ta njohë Kosovën.

Thaçi: Nuk pashë një thirrje të tillë për njohje të Kosovës as nga Merkel dhe as nga Macron drejtuar presidentit të Serbisë Vuçiç. Mirëpo nuk pashë një gadishmëri për thirrje në të njëjtën kohë që edhe pesë vendet e tjera të BE-së të njohin Kosovën.

Sipas Thaçit, Serbia po vazhdon të cënojë Kosovën dhe marrëdhëniet me këtë vend po acarohen vazhdimisht, ndërsa mungesa e qëndrueshmërisë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe shteteve fqinje lidhet me mos njohjen e shtetit të Kosovës.

EMISIONET