Teuta është skuadra më aktive në këtë merkato duke u përforcuar me emra të rëndësishëm për pjesëmarrjen në Europa League. Baza e ekipit të sezonit të fundit është ruajtur, ndërsa janë larguar ata që nuk ishin në planet e klubit.

Në verën e 2018 drejtuesit nisin një projekt ambicioz me Bledi Shkëmbin në krye dhe rezultatet ishin të kënaqëshme. Vendi i tretë në kampionat dhe kualifikim në Europë. Deri tani, bregdetarët kanë nënshkruar me Rustem Hoxha dhe Albano Aleksi nga Luftëtari, Blagoja Todorovski (Shkëndija Tetovë), Aleksandro Kuro (Kerkyra), Arlind Kalaja (Kukësi), Darko Nikaç nga Iskra. Ndërkohë Xhonathan Lajthia është kthyer nga huazimi që kaloi te Erzeni.

Mbrojtja dhe mesfusha është kompletuar, ndërsa në sulm ka nënshkruar vetëm Nikaç, por të dhënat e tij janë të shkëlqyer. Gjithsesi sërish priten afrime të tjera, ndërsa mësohet se klubi është duke punuar për të nënshkruar edhe me një sulmues tjetër.

Këtë sezon aspiratat janë më të mëdha. Fillimisht synohet të shkojnë sa më larg në Europa League, ku në turin e parë do të përballen me Letonezët e Ventspils. Por prioritet është edhe kampionati shqiptar. Ëndrra e presidentit, Edmond Hasanbelliu është titulli kampion, një trofe që nuk e ka fituar kurrë edhe pse ka dy dekada që drejton klubin.

Për t’i arritur këto qëllime, skuadra po zhvillon një fazë përgatitore në kushte mjaft të mira në Bullgari, ndërsa stërvitjet janë shoqëruar edhe me ndeshje miqësore, ku afrimet në merkato kanë marrë minuta.

/Ora News.tv/