Tërmetet shkundin Rajonin

Tërmetet shkundin Rajonin

Në total, Ballkani dhe Adriatiku janë prekur nga 32 lëkundje sizmike në 24 orët e fundit. Nga ky bilanc, efektet janë ndjerë në 10 shtete, ku pasojat më të rënda kanë qenë në Shqipëri. Ekspertët bëjnë thirrje për të shmangur panikun duke u shprehur se lëkundjet pas tërmetit, që njihen si pasgoditje, në pjesën dërrmuese të rasteve nuk janë më të forta se tërmeti kryesor, por, pavarësisth kësaj, të gjithë duhet të qëndrojnë vigjilentë. 

Rajoni i Ballkanit dhe pjesa dërrmuese e Adriatikut ka qenë epiqendra e 32 tërmeteve në 24 orët e fundit, të cilat fillojnë nga magnituda 2 ballë e shkallës rihter, për të kulmuar me tërmetet më të fuqishme që u regjistruan pasditen e së shtunës me magnituda respektivisht 5.6 dhe 5.2, por që kishin një perceptim më të lartë në ndjeshmëri. Në të gjitha këto lëvizje sizmike, Shqipëria ka qënë padyshim shteti më i prekur, por lista e vendeve që i kanë ndjerë lëkundjet përfshin edhe nëntë vende të tjera, të cilat janë Italia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Bosnje Hercegovina dhe Kroacia. 

Numri relativisht i lartë i tërmeteve, në qasjen e ekspertëve nuk duhet të jetë shqetësues për qytetarët, pasi përgjithëssisht, lëkundjet e njohura si pasgoditje në shumicën e rasteve nuk janë më të fuqishme se tërmeti parësor. Gjithësesi, kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk duhet të qëndrojnë vigjilentë pasi tërmeti është një prej fenomeneve që nuk mund të parashikohet nga shkenca. Pasgoditjet më shqetësuese kanë qenë dy lëkundje që u regjistruan pas mesnate, duke rikthyer edhe njëherë frikën mes qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama është kontaktuar nga homologët e rajonit të cilët kanë ofruar mbështetje. Fillimisht ka qënë shefi i ekzekutivit italian, Xhuzepe Konte, i cili shprehu gadishmërinë për ndihmë, ndërsa më pas, komunikimet kanë vijuar edhe me përfaqësues të tjerë. Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar gjithashtu vëmendje asaj që ka ndodhur në Shqipëri dhe në rajon. Fillimisht ka qenë rrjeti amerikan CNN që pasqyroi lajmin përmes publikimit të disa fotografive nga zonat më të dëmtuara. Më pas, artikuj ka patur edhe nga Reuters, Euronews, Deutsche Welle, Daily Express, Mirror etj. 

Mediat ndërkombëtare kanë theksuar se ky ishte një prej tërmeteve më të fuqishme në dekada për Shqipërinë, por fatmirësisht, nuk ka patur pasoja në njerëz.

EMISIONET