Kuvend, opozita bllokon foltoren për Fatmir Xhafën, Rama e mbron

Vendimi i Gjykatës së Kasacionit në Itali, sipas të cilit vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg i shërbeu opozitës të mos lejonte një seancë parlamentare normale.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se për vëllanë e tij ministri i Brendshëm shtrembëroi Kodin e Procedurës Penale për të siguruar paprekshmërinë që ai as të mos ekstradohet në Itali dhe asnjë ditë dënimi në Shqipëri.

Lulzim Basha:  Për Agron Xhafajn është shtrembëruar Kodi i Proçedurës Penale përmes një falsifikimi, një vepre penale të Fatmir Xhafajt për të siguruar paprekshmërinë që ai as mos të esktradohet në Itali, as mos vuajë asnjë ditë dënimi në Shqipëri.

Agron Xhafaj është kriminel i dënuar që i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit. Fatmir Xhafaj është kriminel i pandëshkuar.

Fatmir Xhafa vetë është vetë peshku i madh, kokë e një prej familjeve mafioze ku i vëllai bën trafikun e kokainës dhe ai vetë falsifikon ligjet për të mbrojtur vëllain e tij kriminel nga vuajtja e dënimit.

Kjo, sepse Agron Xhafaj, që e thërrasin “Pashai i Vlorës”, trafikantët e drogës, ka nën urdhërat e tij policinë duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Prokurorinë në Vlorë e në të gjithë Shqipërinë.

Fatmir Xhafa është kriminel i pandëshkuar.

Ky është realiteti i shtetit që ka ndërtuar Edi Rama, ku qeveria dhe krimi janë bashkë, të pandashëm, dhe ku rekordet kriminale, personale apo familjare, janë kriteri i vetëm i Edi Ramës për marrjen e posteve të larta publike."

Kur mbaruan 10 minuta të fjalës, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i mbylli mikrofonin Bashës. Në këtë moment deputetët e PD-së bllokojnë foltoren e Kuvendit.

Ruçi ndërpreu seancën dhe mediat u nxorrën jashtë, por ish kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD-së Basha vendosën të komunikojnë përmes facebook.

Pas disa minutash ndërprerje të seancës opozita braktisi sallën e Kuvendit.

Edhe pse ministri i Brendshëm ishte në sallë, mbrojtjen e tij përballë akuzave të opozitës e bëri kryeministri Edi Rama.

Edi Rama: "Këta duan të vazhdojnë atë që kanë nisur, të pengojnë çeljen e negociatave, duke vazhduar të helmojnë sa të munden gjakun dhe mendjen e kujtdo, në çdo parlament të atyre vendeve që sot mbeten kyçe për të marrë vendimin, që mund të jetë i interesuar për të thënë “jo”."

Nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë. Nëse nuk ka kërkesë, nëse nuk ka asnjë përgjegjësi të lidhur me qeverinë, apo me personalisht ministrin e Brendshëm dhe nëse bëhet fjalë në fund të ditës për vëllanë, jo për të, në një sistem ku secili përgjigjet individualisht përpara ligjit, pse del sot?

 Sepse duhet goditur Shqipëria kudo ku është e mundur.

 Rama akuzoi opozitën se të njëjtën dosje para se ta publikonte në shqip e kishte shpërndarë në anglisht tek ndërkombëtarët.

Edi Rama: Dua t’u them që dosja e rizbulimit, në të njëjtën kohë që ka dalë në televizor, ka filluar të shpërndahet në anglisht dhe unë e kam mësuar se çfarë do thoshin këta në televizor, se nuk i ndjek këta, nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht dhe që më pyetën, si ka mundësi dhe pse sot, kur ne presim që Shqipëria, politika shqiptare të provojë çdo ditë, pretendimin e  argumentuar për të hapur negociatat, ne na vënë përpara një dosje që na e kanë vënë përpara shumë kohë më parë, për një fakt që ne e njohim, për një çështje që ne e kemi analizuar dhe e kemi ezauruar?

 Si ka mundësi?

 Pyetje e të huajve për mua, që të përgjigjem për këta që janë gjaku ynë.






Kliko ketu per te pare FOTOGALERINE



EMISIONET