Shpesh herë afatet e punimeve për rikonstruksione nuk zbatohen. I tillë është edhe rasti i shkollës  profesionale "Ali Myftiu" në Elbasan që emisioni BOOM ka trajtuar sot.

Tenderi për rikonstruksionin e kësaj shkolle është fituar nga kompania Alko Impex shpk dhe ka një vlerë prej 97, 891, 872 lekë me TVSH dhe data e lidhjes së kontratës është 22.05.2017.

Por tabela e punimeve të rikonstruksionit të kësaj shkolle që gjendet në hyrje të saj, njofton për afatin 9 mujor për përfundimin e punimeve.

Nga një llogaritje e thjeshtë, del që afati ka përfunduar më 22 shkurt, por punimet në shkollë ende vazhdojnë. Shkollat profesionale janë specifike, pasi kanë edhe laboratorë, pra e zhvillojnë ndryshe nga shkollat normale procesin mësimor, kështu që zgjatja e afatit të punimeve , do të thotë rrjedhimisht dhe një vit shkollor jo në kushtet optimale të realizimit të procesit mësimor.

Nga një vëzhgim i bërë nga kamera e BOOM brenda ambienteve të kësaj shkolle shihet qartë se punimet vazhdojnë ende. Ajo që bie në sy është fakti që edhe pse afati ka përfunduar, brenda janë vetëm tre punëtorë.

Tenderi është fituar në muajin maj, por punimët për rikonstruksionin e shkollës kanë nisur në muajin shtator të 2017.

Drejtoresha e shkollës "Ali Myftiu" tha se në maj dhe qershor nuk filluan punimet për shkak të zgjedhjeve. 

Ndërsa përfaqësuesi i firmës ALKO IMPEX tha se shtyrja e afateve ka ndodhur për shkak të disa ndryshimeve të projektit nga ministria, dhe se shumë shpejt do të përfundojnë punimet.

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Punimet nuk filluan për shkak të zgjedhjeve

Gazetarja: Data e lidhjes së kontratës është 22.05.2017.

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Kjo është për pjesën e dytë, po. Dhe kjo pjesë nuk filloi në qershor se ishin zgjedhjet.

Gazetarja: Në maj thotë këtu që është lidhur kontrata.

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Në maj mund ta kenë lidhur ato, por nuk filloi. Se unë e kam zbrazur shkollën në datën 25 qershor. Më erdhi një letër nga firma, e zbraza shkollën, nuk filloi për shkak të votimeve...Nuk di fare se si ishte puna dhe ka filluar në fund të shtatorit.

Gazetarja: Në fund të shtatorit!

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Shkolla ishte e boshatisur dhe në fund të shtatorit kanë filluar punimet.

Gazetarja: Po juve kur ju është thënë që do të shkoni në shkollë përsëri?

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Inxhinieri më ka thënë që në fund të prillit unë do ta dorëzoj si shkollë, si ndërtesë, pastaj ato që kanë fituar projektin, firma Alko impex nëqoftëse e patë dhe atje se kur do ta dorëzoj të gjithë ....

Gazetarja: Ju nuk është se ju cënua diçka tek ana profesionale laboratorike?

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Jo, jo. Vetëm përsa i përket zhvillimit normal të mësimit u detyruam të vijmë këtu. Jo të gjithë kabinetet i kemi në gjendje pune, si fizika , vizatimi teknik po mundohemi të punojmë në kushtet që janë këtu, se dhe ai rikonstruksioni s`bëhet dot ndryshe.

Atëherë ajo mësuesja atje ku i ka në magazinë, se i ka këtu në katin e pestë, i ka sjellë dhe i përdor. Këto të autos i kanë marrë ato maketet e motorrave i kemi lënë tek salla e mësuesve dhe i merr mësuesi i çon nëpër klasa.

Gazetarja: Është një vështirësi që po e kapërcejnë mësuesit.

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Është diçka kalimtare që mësuesit e kanë zgjidhur në këtë mënyrë.

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Unë dhe ato gjëra që kishim, vërejtje në drejtim të punës ja çova nëpërmjet ministrisë.

Gazetarja: Çfarë kishit ju merak?

Drejtoresha e shkollës Ali Myftiu: Jo, disa ndryshime tek punimet për të mirën e punës. Ato përshembull kutiat e shpërndarjes ke rikonstruksioni i kishin lënë të hapura, domethënë nëpër korridore në mënyrë që të kesh mundësi që të futësh duart nëse ke defekte. Tani unë ju dhashë sygjerimin tim. Po s`e kam unë në projekt... I thashë unë jam një shkollë profesionale. Unë kam 300 nxënës që vazhdojnë drejtimin elektrik, që nxënësit e mi dikush me dashje, dikush pa dashje, mund të fusi duart dhe mund të bëj një defekt. I thashë o mi mbyllni nëpër klasa këto ose në kutia dhe tani e kanë bërë me gips. Kanë bërë kutia gipsi.


Përfaqësuesi i firmës: Ka pasur disa ndryshime në projekt

Përfaqësuesi i firmës: Jo, nuk jam inxhinier, por jam pjesë e stafit .

Gazetarja: Doja të dija në lidhje me afatin e punimeve, kur mund të përfundojë shkolla?

Përfaqësuesi i firmës: Po së shpejti. Së shpejti sepse kemi pasur disa ndryshime gjatë projektit nga ministria dhe së shpejti do përfundojnë.

Gazetarja: Kur duhet të kishte përfunduar?

Përfaqësuesi i firmës: Nuk ka lidhje me atë pjesë sepse kemi marrë një vendim tjetër për të vazhduar punimet, ngaqë ka pasur disa ndryshime nga projekti dhe kemi një vendim për shtyrjen e afatit të punimeve.

Gazetarja:  Po deri kur është shtyrë?

Përfaqësuesi i firmës: Deri në fund të prillit.

Gazetarja: Që do të thotë ju kur duhet ta kishit mbaruar?

Përfaqësuesi i firmës: Që do të thotë ne deri në fund të prillit kemi afat për të kryer punime.

Gazetarja: Në tabelë thuhet afati është 9 muaj, apo jo?

Përfaqësuesi i firmës: Motra, të përshëndes!

 

/Ora News.tv/