Teknologjia në votim, Bylykbashi: Na duhet ekspertiza si aplikohet, jo të na thoni s’bëhet

Teknologjia në votim, Bylykbashi: Na duhet ekspertiza si aplikohet, jo

Sistemi zgjedhor aktual nuk garanton besim. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, duke folur në konferencën për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjeve, tha se nuk bëhet fjalë për të përmirësuar një sistem por për të zëvendësuar një sistem të dështuar.

Duke evidentuar problematikat në proceset zgjedhore të kaluara, Bylykbashi tha se teknologjia është e kushtueshme por fare mirë do të ulë në mënyrë drastike një numër kostosh që i kemi sot në proces.

Bylykbashi gjithashtu ishte i qartë edhe për ndërkombëtarët kur tha: “Ne na duhet eksperienca dhe ekspertiza më e mirë për të na thënë sesi duhet implementuar teknologjia në votim në Shqipëri dhe jo se nuk mund të bëhet. Për këtë të jeni të sigurt, ne e marrim vendimin vetë shumë thjesht”.

Nga ana tjetër, Bledi Çuçi, garantoi se PS ka të gjithë vullnetin për ta çuar përpara këtë proces dhe të garantojë gjithnjë e më tepër standartet e duhura dhe të nevojshme, por edhe të detyrueshme.

Oerd Bylykbashi: Problemet në administrimin e zgjedhjeve të tjera nuk kanë ikur dhe për fat të keq janë shtuar dhe rënduar probleme të tjera. Shitblerja e votës është prioriteti numër një i OSBE-ODIHR, prioriteti numër dy është presioni mbi zgjedhësit jo vetëm në administratë por tashmë dhe tek privati dhe abuzimi me fondet shtetërore. Jemi para një game shumë të madhe. Nëse në 2009 i futëm kartat e identitetit si një zgjidhje dhe garanci për zgjedhësit. Menduam se do të zgjidhet problemi. Për fat të keq në tre palët zgjedhjet e fundit karta e identitetit ka filluar të kthehet në një problem shumë të madh për të drejtën e votës. Karta e identitetit po përdoret për të prenotuar në avancë edhe 3 ose 4 muaj më parë votën e e një zgjedhësi dhe kjo bëhet që të mos shkojë dikush tjetër ta ‘pronotojë’ dhe kjo bëhet përkundrejt pagesës.Ka dhe më keq se kaq, zgjedhësve u merret karta kundrejt pagesës dhe u kthehet ditën e hënë pas zgjedhjeve duke u mohuar të drejtën për të votuar.

 Që kjo të jetë efektive kjo po ndodh përmes përdorimit në shkallë të gjerë të rrjeteve kriminale, të atyre që kur trokasin në derë për të marrë kartën janë të sigurt ata qytetarë që nëse nuk e bëjnë atë që kërkohet  të hënën apo të martën do të ritrokasin në derë këta persona për ti pyetur: Pse shkuat të votoni? Sot votohet në emër të emigrantëve. Nuk votojnë emigrantët. Ky është një sistem pasiv në listat e zgjedhësve. Kjo ndodh përmes përdorimit të kartave të falsifikuara apo mbushjes me të njëjtën dorë me firma të ndryshme, në emër të personave të tjerë votojnë persona që nuk kanë lidhje me ta. Këto e bëjnë të domosdoshme që të vëmë filtrate e e identifikimit të zgjedhësve në qendrat e votimit në mënyrë që këto të mos përsëriten.

Administrimi i zgjedhjeve vazhdon të rëndohet nga fakti se korrupsioni zgjedhor nuk lë pa prekur komisionerët. Nëse një familje në Manzë të Durrësit i janë ofruar 1500 euro për 7 vota çerek ore para se të mbyllet qendra e votimit dhe ky është fakt i pranuar jo më larg se para dy javësh, sigurisht që nuk është e vështirë të korruptohen komisionerët. Votat e partive numërohen për tjetër parti, jo vetëm për partitë e vogla. 2013 provoi sesi një subjekti të madh si PD në pushtet iu morën 1400 vota në qarkun e Lezhës, u numëruan për një tjetër subjekt dhe u lëviz një mandat. Sigurisht u gjet ai rast më pas, po për partitë e tjera, ato të vogla që nuk kanë shans të kenë komisionerë dhe as numërues? Shqipëria nuk është pa përvojë në këtë histori përveçse kemi nisur diskutimet në 2007, kemi dhe eskperiencën e dështuar në 2013.

Dy projektet pilote dështuan se patën vetëm katër muaj kohë. Mund të kishte qenë mësim për KQZ dhe parlamentin se çfarë duhej bërë ndryshe. Sot jemi në kushtet e tjera. Unë personalisht duke qenë jurist dhe jo ekspert IT besoj më shumë tek letra. Përpara se të flasim cila teknologji është më e përshtatshne na duhet një arkitekturë shumë solide e sistemit, të kemi një grup personash të pavarur që të jenë atje për të certifikuar që gjithë ajo që do të bëjnë ekspertët e IT nuk është diçka e manipuluar apo ka probleme dhe më pas zgjedhim teknologjinë. Sigurisht që kushton shumë por besoj se përmes teknologjisë në votim do të ulim në mënyrë drastike një numër kostosh që i kemi sot në proces.

Në periudhën para dhe pas zgjedhore, në ato tre muaj rrotull zgjedhjeve fisku shqiptar humbet më shumë se 30 milion euro nga humbja e detyrimeve për shkak të stanjacionit që krijohet dhe pasigurisë që krijohet lidhur me rrotacionet e mundshme. Sa më shpejt mbyllim procesin zgjedhor aq më shumë ulen këto lloj kostesh që nuk i llogarisim asnjëherë. Jam i sigurt që teknologjia në votim nuk zgjidh gjithçka. Ndoshta do të krijohen dhe probleme të tjera por le ta fashojmë kokën kur të thyhet.

Sot kemi një problem shumë të madh, kush beson tek ky sistem me 40 mijë komisionerë politik dhe shpesh herë jo vetëm të patrajnuar por edhe të korruptuar? Nuk ka besim. Shqipëria i ka të dhënat biometrike, mundësitë për ta bërë janë. Ne na duhet eksperienca dhe ekspertiza më e mirë për të na thënë sesi duhet implementuar teknologjia në votim në Shqipëri dhe jo se nuk mund të bëhet. Për këtë të jeni të sigurt, ne e marrim vendimin vetë shumë thjesht.

EMISIONET