Prishja e Teatrit Kombëtar është tema kryesore që përflitet më së shumti kohët e fundit, ku shumë aktorë janë ngritur me protesta për ta kundërshtuar.

Por aktoret Armela Dembaj dhe Sonila Kapedani kanë thënë në intervistën për "Mos i fol shoferit" se nuk ka asgjë të keqe në këtë mes pasi nuk janë dërrasat ato që përbëjnë teatrin.

Armela Demaj: Qëndrimi im personal është që nuk ka asgjë të keqe nëse teatri prishet. Nuk e përbëjnë dërrasat teatrin, e bëjnë njerëzit, e bën produkti, e bën lidhja që krijon me publikun. Dërrasat nuk janë historia e teatrit. Historia e teatrit janë veprat që janë vënë aty, nuk ka asgjë të keqe që të rikonstruktohet apo të prishet dhe të bëhet i ri. Cështja është që ne duhet ti bëjmë ne si artistë, aktorë dhe regjisorë që ku po shkojmë me këtë teatër? Kush do ta trashëgojë teatrin nesër? Besoj se ky problem është më i rëndësishëm që në këtë dërrasë ka shkelur filani apo fisteku. Cështja është kush do ta trashëgojë? Ne jemi në gjendje apo jo ta mbajmë teatrin, jemi në gjendje të përballemi me teatrin botëror dhe kujt do t'ia lëmë nesër? Brezat që po vijnë.

Sonila Kapedani: Personalisht mendoj që jam një njeri që më pëlqejnë lidhjet e trashëgimisë për të gjetur cfarë kemi bërë, cfarë po bëjmë dhe cfarë do bëjnë ata që vijnë. Unë mendoj që ne kemi mangësira si në cdo aspekt tjetër të jetëve tona shoqërore në formimin e një tradite në teatër. Kështu që diskutimet duhet ti ikin pjesës emocionale dhe të rrijnë te pjesa logjike se ne kemi nevojë të ndërtojmë. Në idenë e kësaj do doja që njerëzit që e duan teatrin, sakrifikojnë për teatrin, ta lënë emocionin mënjanë dhe të sakrifikojnë me logjikë. Ne na duhet të ndërtojmë një terren që është zhvillimor. 

/Ora News.tv/