Artistët e teatrit vazhdojnë të kundërshtojnë projektligjin e ri të Ministrisë së Kulturës. Ata janë bërë bashkë me artistët nga rrethet për të protestuar kundër kontrollit politik dhe kundër zgjedhjes së drejtorit të ri të teatrit nga Ministria e Kulturës.

E hëna i ka gjetur artistët e Teatrit Kombëtar përballë derës së mbyllur të institucionit. Në pamundësi për të hyrë brenda sallës së madhe, ata u mblodhën tek holli i teatrit ku janë bashkuar edhe artistët e rretheve për të protestuar për gjithë rezervat që kanë ndaj ministrisë së kulturës dhe vetë teatrit kombëtar.

Arben Derhemi: Drejtori i Teatrit Kombëtar e ka vendosur që do ta marrë dhe një katër vjetësh titullin Drejtor sepse për të qenka më e rëndësishme të jetë drejtor se sa të mbrojë këtë godinë, që ne do ta mbrojmë me gjak dhe me cdo lloj forme.

Altin Basha: Kjo do të thotë që administrata e Teatrit Kombëtar, e cila përfaqëson Ministrinë e Kulturës në Teatrin Kombëtar, nuk ka dëshirë për dialog.

Bujar Asqeriu: Këtë vend e drejtojnë hajdutët miqtë e mi! Prandaj nuk mbeten lekë për artistët, prandaj nuk ka lekë për teatër, prandaj ne na fusin në vërrin e miut, atje tek hidrocentrali.

Propozimi që doli nga ky takim e çon në një shkallë tjetër pretendimin e artistëve, pikërisht në kohën kur Ministria e Kulturës ka shpallur konkurs për zgjedhjen e drejtorit të ri, ata kërkojnë të ndryshojë zgjedhja e liderit të Teatrit Kombëtar.

Stefan Capaliku: Drejtori i Teatri Kombëtar dhe i shumë teatrove të tjera. Kombëtarët duhet të zgjidhet nga njerëzit, të cilët e bëjnë teatrin, duhet të votojnë dhe ta zgjedhin. Politika nuk ka kontroll mbi universitetet, paska kontroll mbi teatrin. Ky është absurd i madh.

Të tjerë artistë të institucioneve kombëtare ndihen të rrezikuar, si për shembull Cirku Kombëtar.

“Të marrin një cirk privat, ta paguajnë me projekte dhe cdo gjë është më e zgjidhshme. Nuk i intereson statusi i këtyre artistëve, të cilët kanë vështirësi minatori.”

Ministrisë së Kulturës i është kërkuar transparencë në vendimet që po merr dhe një takim në sallën e Teatrit Kombëtar.

Genc Fuga: Të mërkurën në ora 4, jo në zyrë, në Teatër.

/Ora News.tv/