Shifra prej 30 milion eurosh që kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dha si kosto për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar nuk bindi aktorin e madh Robert Ndrenika.

Në tryezën e diskutimit, Ndrenika i tha Veliaj se ata që ja kanë bërë llogaritë per kompleksin teatror "Dopolavoro" e kanë gënjyer.

Por Veliaj megjithëse pranoi se nuk është ekspert teatrosh tha se projekti ynë hyn tek kostot ekonomike për teatrot e rinj, dhe për këtë iu referua Maqedonisë  fqinje dhe Norvegjisë.

Aktori Ndrenika nga ana tjetër këmbënguli që llogaritë e tij pas konsultimit me ekspertë nuk shkojnë më shumë se 15 milion euro, duke kërkuar që bëhet rikonstruksion i teatrit dhe jo shembje godine.

Robert Ndrenika: Edhe kompleksi ynë me të dyja godinat, edhe me të marangozëve por edhe me oborrin, eshtë Monument Kulture dhe oborri, edhe pishat, edhe pishina, mund të riparohet dhe mund të dalë një gjë e shkëlqyer dhe jo me 30 milion euro.E kam bindjen zoti Erion se të kanë gënjyer me ato 30 milion eurot pavarësisht se the 4-5 fish, nuk është e vërtetë ajo. Maksimumi mund të shkojë 10-15 milion euro ai Teater qe duan te bejne.

Ky kompleksi teatror që e quajnë "Dopolavoro" dhe para 15 vitesh kishte vënë dhe atë nipin e Juli Bregasit, edhe ai bërtiste "Dopolavoro". Bëhet me qëllim kjo "Dopolavoro", për të zhyer gjithë këtë historinë. Hiqe këtë fjalën"Dopolavoro" dreqi e marrtë, 5 vjet me 70 vjet nuk konvenon.

Mendoj dhe e kam pjekur këtë mendim gjatë kësaj kohe. Kam qenë kundër edhe me këta djemtë. Trashëgimia kulturore mund të ruhet edhe si tek Varrezat e Dëshmorëve, është një gur i bukur dhe një pllakë e shkruar bukur: Thonë këtu deri në vitin kaq ka qenë Varreza e Dëshmorëve, tani është vënë atje.

Por tani më është konsoliduar mendimi që gjithë kompleksi i teatrit është një gjë që mund të ruhet dhe për këtë kam dhe Pazarin e ri të Tiranës dhe Pazarin e Korçës. Në këtë drejtim Kiço Londo është duke shënë një shembull shumë të mirë me Metropolin, që e ka mbajtur, e ka lyer.

Prapë mendoj se Tirana e do një teatër të mirë të ri, që mund të shkojë 100-200 vjet siç e kanë dhe qytete të tjera të Ballkanit dhe e meriton Tirana. Kur tha një djalë këtu që Shkupi ka kaq teatro, pse mos të ketë Tirana 2-3? Mendoj të bëhet ky lloj studimi i këtij kompleksi që është. Zoti kryetar, aeroporti i Rinasit nuk është gjë me para, vetëm me hekura është dhe xhamllëk. Mund të bëhej një përshtatje. Nuk them që duhet mbajtur kjo që është por si kjo, të respektohet ky kompleks ashtu siç u bë dhe njëherë Pazari i Korçës dhe Pazari i Ri.

Erion Veliaj: Për krahasim, i Shkupit ka kushtuar 50 milionë, një qytetit të nivelit të dytë në Norvegji 170 milionë. Nuk jam ekspert teatrosh por ata që janë në arkitekturë teatrore në fakt kemi versionin më ekonomik. Nëse do të ketë një grup negociator që i themi e duam me këtë cilësi, më të lartë, më të ulët, janë parametra që ne mund ti diskutojmë. Kostot e Teatrit mund të jenë shumë më të larta dhe ky i yni hyn tek kostot ekonomike për teatrot e rinj.

Robert Ndrenika: Jam interesuar dhe unë, dhe kjo këtu qendra Toptani maksimumi ka vajtur 500 mijë euro, në kafe rri po pyes njerëz.Këtë maksimum me 9000 metra katrorë që është e shumëzon me trefishin nuk më del më shumë se 15 milion euro.

Erion Veliaj: T'ua lëmë teknikëve të bëjnë këtë pjesën teknike.

Robert Ndrenika: Megjithatë në këtë varfëri që paska ky shtet shqiptar, që vetëm rrugën Tiranë-Tunel e ka paguar katër herë dhe nuk është bërë akoma, shkon më mirë ky propozimi që bëra unë, që e ka filluar dhe Kiço Londo. Të bëhet një kompleks i tëri me pemë, pishina. Që mos të them prapë fjalën "Dopolavoro". Të bëhet një gjë artistike.


/Ora News.tv/