Pak ditë më parë, tek ndiqja një bisedë ku flitej për çmimet letrare në Shqipëri, mes folësve më bëri përshtypje dikush që në mërzitninë e tij se letërsia shqipe po merrej ca si shumë me gjëra shqiptare, sugjeronte se sa më pak shqipçe të ishte vepra, aq më shumë juritë duhet ta shihnin këtë si fenomenale. Nuk di pse atë çast (pa e ditur që mjeshtri ishte në orët e fundit) m'u kujtua biseda me Amos Oz, në studion e tij në Arad dhjetë vite të shkuara. 

Pas intervistës me Rudina Xhungën, e pyes një çast: "Mjeshtër, çfarë iu këshillon shkrimtarëve më të rinj!" Qeshi, me ato sytë e tij të kristaltë blu, dhe ma ktheu: "Shkruaj për gjëra që di, për gjëra që njeh, për gjëra që prek, që fantazia të ketë kuptim." Atëbotë nuk i kisha shkruar ende tre vepra të rëndësishme të miat (sipas kuptimit tim), që i jepnin lëndë edhe fantazisë sime: "Ku je?", "Kukullat nuk kanë Atdhe" dhe "Të ftuar në Rrethin e Dhjetë". Me atë bisedë njerëzore në shtëpinë e tij, dhe këshillë prej mjeshtri bri bibliotekës së tij të pafund, ai i kishte dhënë kuptim rravgimit tim për identitet letrar, brengë e çdokujt që merr kurajën të kërkojë t'ia dëgjojnë zërin në pyllin e populluar me gjithfarë zogjsh zëbukur.

Amos Oz, ndër të rrallët shkrimtarë izraelitë të botuar në arabisht, ishte zëri edhe i palestinezëve. I brengosur se Izraeli i projektuar në ëndrra e në libra, mbeti vetëm aty, në ëndrrat e shtegtimit biblik, ai u bë zëdhënësi edhe i të drejtës së "armikut". Për realitetin e hidhur, ai ka zgjidhjet e tij në veprat e tij, dhe ndonjëherë bota do t'u kthehet që të mund të mbjellë paqe. "Tejet pacifist", siç cilësohej shpesh nga zionistët, Amos Oz mund të ketë mos ketë qenë më i pëlqyeri mes izraelitëve, por padyshim është zëri botëror më i rëndësishëm i vërtetë nga e shenjta tokë e trazuar.

Amos Oz shkroi për gjëra që dinte, që prekte, që i njihte. Dhe këtë e dëshmon edhe vepra e tij e mrekullueshme, që për fat, frymon prej vitesh edhe në shqip.

/Ora News.tv/