Të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen më

Të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë nuk duan

Në Tiranë, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale mbylli një studim mbi trendet migratore të popullatës shqiptare. 

Ekspertët zbuluan se ka një rritje të emigrimit potencial dhe se po emigron pjesa më e arsimuar e banorëve.

Sipas një vëzhgimi tjetër, studentët shqiptarë, që po studiojnë jashtë vendit, nuk duan të kthehen më në Shqipëri. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ilir Gëdeshi, Drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale tregon trendetr e reja të emigracionit të shqiptarëve. 

Ilir Gëdeshi: Kanë ndryshuar thuajse të gjitha tendencat. Së pari, nëse fillimisht dëshironin të emigronin në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, aktualisht vendi i parë i emgrimit potencial është Gjermania dhe vende përreth saj në Europën perëndimore. Vendi i dytë janë SHBA dhe pas tyre, vijnë Italia dhe Greqia. 

Këto dy të fundit vazhdojnë të mbizotërojnë për shkak të rrjeteve sociale që kanë emigrantët potencialë shqiptarë në këto vende. Por dalja e Gjermanisë si vend i parë tregon që orientimi i rinisë shqiptare sot e tutje do të jetë Gjermania. 

Kjo lidhet edhe me disa faktorë të tjerë: duke qenë që dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, dëshirojnë të emigrojnë më të kualifikuarit më të arsimuarit. Për shembull, tendenca e vitit 2007 ishte të emigronin personat e pakualifikuar dhe persona të paarsimuar. Aktualisht dëshirojnë më shumë të emigrojnë persona që kanë arsimin e mesëm dhe profesional dhe sidomos ata që kanë arsim universitar. 

Pra, ikën pjesa më e kualifikuar dhe më e arsimuar e vendit. Sa i takon moshës, më parë ka qenë mosha 20-22 vjeçare që dëshironin të migronin, sot dëshirojnë të migrojnë ata të moshës 27-30 vjeç, ku arrin kulmin dëshira për migrim. 

Vihen re edhe tendenca të reja: për shembull, nuk dëshirojnë të migrojnë të papunët, si ka qenë në 2007, por dëshirojnë ata që janë studentë aktualisht. Së dyti, dëshirojnë të emigrojnë ata që kanë një punë dhe pastaj vijnë të papunët dhe grupet e tjera shoqërore. Kanë ndryshuar shumë nga tendencat e migrimit potencial.

Po si reagojnë studentët që largohen për studime jashtë Shqipërisë? 

Ilir Gëdeshi: Ne po bëjmë një studim të ri aktualisht që ka të bëjë me studentët shqiptaë që studiojnë jashtë. Shqipëria ka rreth 25 mijë studentë që studiojnë jashtë. Jo fëmijë emigrantësh, por që kanë ikur nga Shqipëria. Kjo është vendi i parë në vendet e Ballkanit perëndimor. 

Për shembull, Serbia me rreth 8 milionë banorë, që ka popullsinë më të madhe në rajon, me të ardhura për frymë më të larta se Shqipëria, ka rreth 15 mijë studentë jashtë. 

Ajo që është më negative në këtë rast nuk është pse shqiptarët shkojnë për të studiuar, por më negativja është se 94 për qind e tyre, sipas një ankete që ne bëmë me studentët shqiptarë, nuk dëshirojnë të kthehen në afat të shkurtër ose të mesme në Shqipëri. 

Kjo do të thotë që nga Shqipëria dalin çdo vit dhjetëra milionë euro për të financuar studimin e të rinjve shqiptarë, dhe kjo nuk kthehet në atdhe me kapitalin human nesër dhe do të thotë se ka një varfërim të vendit nga pikëpamja humane dhe financiare.

EMISIONET