Të hënën mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak, PD thërret protestë: Kryeministër, larg duart nga Shkodra!

Të hënën mbledhja për konstituimin e këshillit

Përkundër dorëheqjes së Valdrin Pjetrit si kryebashkiak, bashkia e Shkodrës pritet të konstituojë këshillin e ri bashkiak.

Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja ka thirrur të hënën mbledhjen për konstituimin e këshillit bashkiak të bashkisë Shkodër, e cila do të zhvillohet në ambientet e Rektoratit “Luigj Gurakuqi”.

Mbledhja ka në rend ditë 3 pika. Konstituimin e këshillit bashkiak dhe zgjedhjen e organeve drejtuese e përfaqësuese. Zgjedhjen e përfaqësuesve të këshillit të bashkisë në këshillin e qarkut Shkodër dhe shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë Shkodër.

Por në kushtet ku ndodhet bashkia Shkodër, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, pika e tretë e rendit të ditës është e pavlefshme.

Pas marrjes së këtij njoftimi, Partia Demokratike e Shkodrës ka thirrur në orën 10:00 të ditës së hënë protestë para Rektoratit, për të mos lejuar siç thotë ajo kapjen e qytetit.

"Ju ftojme të na bashkoheni, Shkodra ka nevojë për ne.Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës. Çdo përpjekje për të injoruar me arrogance mesazhin e shumicës së  qytetarëve të Bashkisë Shkodër, përmes thirrjeve te paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve" thuhet në deklaratën e PD.

PD i bën thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të Partisë Socialiste. 

"E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar!"

Thirrja kryesore e degës së PD-së në Shkodër i drejtohet kryeministrit Rama.

"Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë! Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj!"

EMISIONET