Kur pritet ende mbërritja e Presidentit Donald Trump, liderët pjesëmarrës në Forumin Ekonomik të Davosit, janë shprehur kritikë mbi politikat proteksioniste që janë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara. Kancelarja Merkel është shprehur se izolimi nuk është një zgjidhje dhe se për t’iu përgjigjur sfidave kryesore duhet bashkëpunim dhe konsesus i gjerë. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë në qëndrimin e tyre nënvizojnë se çdo lider është zgjedhur për të mbrojtur interesat e vendit të tij.

Politikat proteksioniste të Presidentit, Donald Trump, janë vënë në qëndër të kritikave nga liderët botërorë që po marrin pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit. Zhvillmet vijnë në një kohë kur lideri i Uashingtonit pritet të mbërrijë në qytetin alpin zviceran mëngjesin e së Enjtes, ndërsa në axhendën e tij parashikohen takime me homologët, drejtues ekzekutivë të kompanive të mëdha si dhe një fjalim gjatë ditës së premte. Në vigjilie të ardhjes së Presidentit, Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, është shprehur se Trump vjen në Davos për të mbrojtur interesat e amerikanëve dhe se nuk do të mërzitet në rast se liderët e tjerë mbrojnë interesat e vendeve të tyre. Megjithatë, kjo filozofi duket se ka shkaktuar pakënqësi në rradhët e partnerëve ndërkombëtarë të ShBA-së.

Fjalimi i Kancelares, Angela Merkel, pati mesazhe të forta për Shtëpinë e Bardhë. Shefja e ekzekutivit gjerman u shpreh në fjalën e saj se politikat proteksioniste nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve, duke shtuar se për t’u përballur me sfidat e momentit kërkohet bashkëpunim. Merkel u shpreh gjithashtu se Europa është mbështetur vazhdimisht tek ShBA-ja, por duke parë se amerikanët po mendojnë më shumë për veten, gjërat mund të ndryshojnë.

“Në termat e politikës së jashtëme, ne shpesh herë jemi bashkangjitur me qëndrimet e ShBA-së, por ameriaknët po përqëndrohen më shumë tek vetja. Kjo na çon në konkluzionin se duhet të marrim përsipër më shumë përgjegjësi. Duhet të marrim fatin në duart tona.”

Ndërkaq, për Kryeministrin italian, Paolo Gentiloni, është normale që liderët të kujdesen për interesat kombëtare, por kjo sipas tij, e ka një limit.

“Sigurisht që mund të mbrosh qytetarët e ty, punonjësit e tu, kompanitë e tua, por ne jetojmë në bazë të një kornize e cila përcaktohet nga marrëveshjet tregtare, tregtia e lirë, rregullat tregtre, vendimet e marra në mënyrë unanime, dhe sigurisht që ky sistem duhet të vijojë të funksionojë”, u shpreh Gentiloni.

Qëndrimi i Gentilonit ishte pak a shumë i njëjtë me atë të Kryeminsitrit të Kanadsë, Justin Trudeau, i cili deklaroi se po përpiqet të bindë ShBA-në për të mos u tërhequr nga Marrëveshja Tregtare e Amerikës Veriore, NAFTA.

Dhënia e përparsisë për kompanitë amerikane, në qasjen e vendeve aziatike përbën konkurencë të pandershme. Këto të fundit kanë shprehur kritika mbi rritjen e ndjeshme të taksimit për produktet që vijnë nga jashtë dhe favorizimin e prodhimit amerikan.

Duke parë retorikën e liderëve botërorë, fjala e Presidentit Donald Trump ditën e Premte do të pritet me mjaft interes. Në bazë të komunikimeve zyrtare, lideri amerikan do të promovojë lehtësitë që u ofrohen bizneseve të mëdha që planifikojnë të investojnë në ShBA. Megjithatë, mbetet të shihet nëse Trump do të ketë një përgjigje për kritikët.

/Ora News.tv/