Administrata Tatimore do të nisë kontrollin në terren të të gjithë subjekteve për të verifikuar kontratat e qiramarrjes së ambienteve ku ushtrojnë aktivitetin. Në rast të mungesës së një certifikate pronësie, kosto do të përcaktohet nga metodika e posaçme.

Drejtoria e Tatimeve ka realizuar një analizë të plotë të shpenzimeve të deklaruara prej bizneseve për të verifikuar rastet e mospagimit të tatimeve.

Pas kësaj është bërë e ditur se në një pjesë të madhe rezulton se subjektet nuk kanë deklaruar qiratë e ambienteve ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Për këtë qëllim është vendosur të nisin kontrollet në terren, ku do të evidentohen dhe personat që kanë në zotërim ambientet.

Qëllimi do të jetë vjelja e tatimit në burim dhe  pagesat e tatimit mbi qiranë.

Pjesë e verifikimit do të jenë ambientet në adresat e deklaruara ku zhvillohet aktiviteti, ku do të kërkohen certifikatat dhe aktet e pronësisë.

Në këtë rast qiraja nuk duhet deklaruar kur sipërfaqja është në pronësi të shoqërisë.

Në rastet e qirave, vlerësimi do të jetë në bazë të metodikës së miratuar, ku kosto përcaktohet në bazë të tonave.

Në këto raste, tatimpaguesit duhet të regjistrohen në përgjegjesinë tatimore të tatimit në burim për të deklaruar e paguar tatimin mbi qiranë.

Në deklratën për shtyp Administrata Tatimore i bën thirrje tatimpaguesve, të cilët ende nuk janë subjekt i pagesës së tatimit mbi qiranë të regjistrohen dhe të paguajnë detyrimin sipas legjislacionit në fuqi në mënyrë që të shmangin penalitetet.








/Ora News.tv/