Që prej 3 ditëve administrata tatimore ka nisur kontrollet e imtësishme përgjatë subjekteve që operojnë në bregdet. Drejtorja e Përgjithshme Tatimeve Vasilika Vjero i bëri apel subjekteve që të zbatojnë ligjin pasi në të kundërt do të përballen me gjoba e deri në mbyllje aktiviteti. Drejtorja e Tatimeve u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo abuzim dhe të mos paguajnë nëse nuk i japin kupon tatimor.

Të gjitha bizneset që kryejnë veprimtari përgjatë bregdetit do të kalojnë në sitën e tatimeve për zbatimin e kritereve ligjore. Drejtorja e Tatimeve Vasilika Vjero deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për ato subjekte që konstatohen me shkelje.Vjero paralajmëroi gjoba e deri në mbyllje të aktivitetit.

Vasilika Vjero: Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga administrata tatimore në funksion të zbatimit të legjislacionit tatimor ndaj të gjithë këtyre bizneseve deri në mbyllje të aktiviteteve të tyre deri në 30 ditë. Çka realisht do të dëmtonte aktivitetin e tyre sidomos në këtë periudhë të shkurtër të sezonit turistik. Ne nuk e duam një gjë të tillë, por përpara ligjit të gjithë janë të barabarët. Ndaj toleranca zero për këdo që mendon se mund të ushtrojë një aktivitet në mënyrë informale.

Drejtorja e Tatimeve ftoi të gjithë qytetarët të denoncojnë nëse kostatojnë abuzime ndërsa u kërkoi të mos paguajnë nëse nuk i japin kupon.

Vasilika Vjero: Unë do të dua që të ftoj të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e përpjekjes sonë kundër informalitetit sic kanë qenë dhe na kanë përkrahur gjatë këtyre viteve duke kërkuar që të refuzojnë të paguajnë në rast se nuk i jepet kuponi tatimor. Nga ana tjetër cdo i punësuar duhet të denoncojë mospagesat e kontributeve të tyre. 

Kjo nismë do të ketë ketë në fokus kontrollin dhe verifikimin e mbi 20 mijë tatimpaguesve që ushtrojnë veprimtari në këtë bregdet në mënyrë që të sigurohet respektimi i një sërë detyrimeve midis të cilave lëshimi i kuponit tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij, afishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara.

/Ora News.tv/