Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kërkuan që tarifa për Rrugën e Kombit të rivendoset pas përfundimit të sezonit turistik. 

Të mërkurën ata zhvilluan një takim me Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj ku u hodh ideja se edhe qeveria e Kosovës mund të kontribuojë për mirëmbajtjen e rrugës në mënyrë që të lehtësohet barra financiare.

Ndërkohë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, theksoi se një tarifë e ulët do të rëndonte xhepin e atyre qytetarëve që nuk e frekuentojnë këtë rrugë. 

Ai siguroi se bizneset e të dyja vendeve do të paguajnë të njëjtën tarifë.

Gjiknuri: Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negocuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, ketë gjë ne e kemi parimore pasi me të drejtë atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, garantoi se shtetasit kosovarë nuk do të paguajnë një tarifë të lartë sa ajo që parashikohej në kontratën e parë.

Ahmetaj: Patjetër që ka një ndërgjegjësim, në të paktën një vit e gjysëm për atë që do të bënte tarifa e rrugës. Nuk diskutohet dhe diskutimi në ekuilibër midis kostos së rrugës dhe një kulture të re, nëse duhet ta themi kështu, por edhe kostos që do t’i ngarkonte qytetarët dhe bizneset ka qenë prezent. Ne jemi fokusuar në bazë të kontratës tek përdoruesit e shpeshtë. Kemi ndërtuar me Ministrin një logjikë financiare progresiviteti, pra për t’i dhënë një mundësi atyre që e përdorin rrugën. Pra, sa më shumë e përdor rrugën me kalime për kamion le të themi, aq më shumë ke mundësi të ulësh çmimin.

Pas protestës së dhunshme të 30 marsit në Kukës, qeveria shqiptare ka nisur negociatat për të vendosur një tarifë të pranueshme nga qytetarët kuksianë dhe ata kosovarë, të cilët e frekuentojnë më shpesh këtë rrugë.

 

 

 


/Ora News.tv/