Sektori i ndërtimit  po kalon vështirësi serioze për shkak të taksave. Kreu i Shoqatës së  Ndërtuesve, Luigj Aleksi, sqaron se edhe pse vitet e fundit pati çlirim të lejeve të ndërtimit sektori po vuan për shkak të taksave.Taksa  e strehimit social sipas ndërtuesve përkthehet në ulje të  fitimit me të paktën 25%.

Pavarësisht rritjes së lejeve për shkak të miratimit të planeve urbanistike sektori i ndërtimit tashmë ka hyrë në një tjetër ngërç për shkak të nivelit të taksave.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, sqaron se ulja e besimit në këtë sektor sipas raportit të Bankës së Shqipërisë vjen e ndikuar nga taksat e vendosura së fundmi, midis të cilave ajo e strehimit social.

Luigj Aleksi: "U dhanë lejet në 2017 por u rritën taksat. Rritja e taksave  ka ulur përsëri besueshmërinë. Ndaj do shkojë në ulje. Romakët e vjetër thonin që helmi ndodhet tek bishti, shqiptarët thonë fundi merr ajër, por faktikisht jemi atje. Nëse nuk parashikohet e ardhmja e kësaj pune, rezultatet nuk do të jenë pozitive por negative."

Aleksi sqaron se humbja për shkak të taksës 3% do të sjellë ulje të fitimeve me 25%. Ai paralajmëron se do ndiqen të gjitha hapat për anulimin e kësaj takse.

Luigj Aleksi: "Ky 3% mbi atë fitim është gati 20-25% e fitimit neto të shoqërisë. Në një pallat me 10.000 metër katrorë shoqëria ndërtuese humbet 300.000 euro."

Për të pasur një zhvillim të sektorit të ndërtimit, Aleksi deklaron se është e rëndësishme që të punohet në të gjithë vendin.

Luigj Aleksi: "Ndërtimi është një sektor që duhet të punojë në mënyrë kapilare në të gjithë republikën. As 5 kulla, as 10 kulla që mund të ngrihen në Tiranë nuk përmirësojnë kurrë jetësinë e sektorit të ndërtimit. Ky sektor punëson shumë njerëz dhe njerëzit duhet të punojnë në të gjithë Shqipërinë."

Përmirësimi i sektorit të ndërtimit gjatë 2017 sipas Shoqatës së Ndërtuesve nuk ka qenë real dhe ka ardhur i ndikuar nga ndërtimi i projektit TAP apo HEC-et e Devollit.



/Ora News.tv/