Takimi Bushati-Kotzias, atje ku e la Ismail Qemali

Takimi Bushati-Kotzias, atje ku e la Ismail Qemali

Takimi në Kretë i ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, duket se po sjell një erë të re në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një erë që do të thoshte zgjidhje të gjashtë çështjeve kardinale që nisin me marrëveshjen për kufijtë detarë dhe shelfin kontinental, ligjin e luftës, minoritetin grek në Shqipëri, çështjen e pronave çame, grekët e rënë në Shqipëri dhe çamët e vrarë në Greqi, me vulat apostile dhe tekstet shkollore, si dhe me njohjen e patentave shqiptare.

Në historikun e marrëdhënieve të dy shteteve, takimi tri ditor në Kretë, ka sjellë shumë afrim dhe kaq shumë dëshirë për të zgjidhur kaq shumë çështje njëherësh, të pazgjidhura prej dekadash. Një takim i tillë, me të tilla nota miqësie, me kaq afrime, me kaq shumë dëshirë për zgjidhje të çështjeve, ngjan vetëm me atë të ndodhur në vitin 1900, kur Ismail Qemali vizitoi Athinën. Historianët dhe studiuesit e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, e kanë shënuar me të kuqe takimin e 117 viteve më parë, mes tij dhe mbretit të Greqisë, Gjergj i I-rë. Ishte një situatë absurde, sepse më 1900, Greqia e kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Shqipëria jo dhe, në atë takim, Ismail Qemali përfaqësonte administratën turke. Por teksa futej në audiencë me mbretin grek, Ismail Qemali mësoi se adjutanti i tij që qëndronte në paradhomë, ishte shqiptar. Në kujtimet e veta, Ismail Qemali tregon se adjutanti shqiptar i mbretit të Greqisë, i tha:

“Të lutem, Ismail bej, mos e lër veten të të marrin përpara këta kokënxehtë. Bëj çmos të ngresh një Shqipëri të lirë për ne, në mënyrë që ne të gjithë, të bashkohemi atje”.

Pas audiencës dhe vizitës zyrtare, Ismail Qemal Vlora nuk foli as për koka të nxehta e as për tension. As për pakënaqësi e as për luftë me fqinjët, por shkroi në kujtimet e tij një frazë shumë të tejkaluar për kohën dhe të denjë vetëm për shekullin e 21. Shqiptari që 12 vjet më pas do shpallte shtetin e pavarur shqiptar, duke qenë kryeministër dhe ministër i Jashtëm njëkohësisht, për atë takim shkroi një parashikim të çuditshëm, për atë kohë:

“Ndonëse ngjarjet politike qysh atëherë, u kanë dhënë një drejtim tjetër ndjenjave të këtyre dy popujve, jam i sigurt se, herët a vonë, dashuria e përbashkët për liri e shqiptarëve dhe e grekëve, do t’i shpjerë ata drejt një mirëkuptimi e drejt krijimit të një ekuilibri në gadishullin e Ballkanit, për të mirën e të gjithëve”.

Takimi mes Kotzias dhe Bushatit duket sikur është vazhdimi i takimit të Ismail Qemalit dhe mbretit Gjergj i I-rë.

Problemi numër një i dy ministrave është pesha e madhe mbi supe, e ngjarjeve që kanë ndodhur në këto 117 vjet.

Ka ardhur koha që këtë pjesë të zezë të historisë mes dy vendeve, ta lëmë pas. Dhe këtu përsëri na vjen në ndihmë Ismail Qemali që, mes të tjerave, kishte edhe një arsye më shumë teksa bashkëshortja e tij, Kleoniqi Surmeli, ishte greke dhe me të pati 10 fëmijë. Ja si shkruante themeluesi i shtetit shqiptar:

“Afria në racë dhe ngjashmëria në zakone deri në një farë pike, si dhe roli që të dy popujt kishin luajtur në kohë të lashta dhe të reja, kishin ngjallur një farë simpatie të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe grekëve”.

Sot, Ditmir Bushatin e akuzojnë se e kanë pritur me këngë e valle në Kretë. Por të mos harrojmë se, edhe Ismail Qemali, i cili do të bëhej ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë, u prit me temena në Athinë.

“Pritja që m’u bë kudo në Athinë, të cilën e kisha dashur dhe admiruar qysh në fëmijëri, më preku aq thellë, a thua se isha në vendin tim dhe po kaloja nga njëra festë në tjetrën. ”

Lajmi i mirë brenda këtij lajmi të mirë, është se Kotzias dhe Bushati, shumë shpejt, do të realizojnë një tjetër takim, por këtë herë në kryeqytetin shqiptar. Ka nisur një erë e re. Ajo që u piketua në vitin e largët 1900, teksa Ismail Qemali vizitoi Athinën.  /Marrë nga gazeta “Albanian Free Press”/

EMISIONET