Shpërthim në ambasadën amerikane në Mal të Zi

Shpërthim në ambasadën amerikane në Mal të Zi

Një shpërthim ka ndodhur në ambasadën amerikanë në Mal të Zi. Lajmi është bërë publik nga qeveria malazeze e cila në një postim në tëitter sqaron se një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese.

“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Sulmi ndodhi pak pas mesnatës rreth orës 00:30 dhe nuk dihet se çfarë motive ka ky sulm.

Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë dyshphet  të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Ndërkohë Steve Goldstein, nën sekretari për diplomacinë publike dhe çështjet publike, tha se askush në ambasadë nuk u plagos.

Një roje në një qendër sportive aty pranë tha për agjencinë e lajmeve AFP se ai "dëgjoi dy shpërthime, njëra pas tjetrës". Ai shtoi: "Policia erdhi shumë shpejt dhe trupi i një burri u hoq".

Autoritetet janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen. 

EMISIONET