Aplikimi për fondin IPARD prej 90 mln eurosh e Bashkimit Europian për Bujqësinë do shtyhet për në shtator. Zv/Ministrisë i Bujqësisë deklaron se shtyrja erdhi si pasojë e kërkesës së BE-së për vlerësim administrativ në lidhje me menaxhimin e këtij fondi.Ndërkohë vetë qeveria ka vënë në dispozicion të interesuarve për të investuar në agroturizëm një fond prej 2.5 mln eurosh ndërsa kanë shprehur interes mbi 30 subjekte për investime në këtë sektor.

Shtyhet për në shtator hapja e aplikimeve për fondin e BE-së për subvencionet në bujqësi.

Janë rreth 90 mln euro të cilat do të vihen në dispozicion të fermerëve shqiptarë por sipas zv/ministrit të Bujqësisë Bashkimi Europian ka kërkuar që të realizojë një vlerësim administrativ në lidhje me menaxhimin e fondit pavarësisht se janë përmbushur kushtet e vëna.

Ilir Halilaj: Agjencia për Zhvillimin Bujqësor Rural si një implementues i programit të IPARD ka marrë akreditimin e saj, janë plotësuar të gjitha e BE-së nga ana jonë. Ka mbetur pezull një vlerësim administrativ që po bëhet nga Brukseli, që ne mendojnë se në fund të gushtit ta kemi gati. Thirrja me shumë gjasa do të hapet shumë shpejt në shtator.

Aktualisht qeveria shqiptare ka hapur aplikimet për fondin e vënë në dispozicion për agroturizmin, një sektor që pret të përfitojë edhe 13 mln euro nga fondet e BE.

Ilir Halilaj: Kemi vënë në dispozicion rreth 2.5 milion euro për agroturizmin në 2018 me fonde të buxhetit të shtetit por duhet thënë se këto nuk janë fondet e vetme në dispozicion të agroturizmit. Me hapjen e thirrjes për aplikime nën programin IPARD 2, janë buxhetuar gjithashtu 13 milion euro të tjera për subjektet e interesuara në aktivitetin e agroturizmit.

Zv/ministri shprehet se aktualisht kanë shprehur interes mbi 30 subjekte, midis të cilave edhe të huaj, por për të përfituar këto subjekte duhet të plotësojnë disa kritere.

Ilir Halilaj: Pasjen të minimumit 1 hektar tokë bujqësore në rast se subjekti ka prodhimtari në fermë ose të gjysmë hektari serash për prodhimet e serave. Gjithashtu një ndër kriteret ëhstë dhe pasja e blegtorisë deri në 10 gjedhë ose 100 të imëta.

Ministria e Bujqësisë ka nisur diskutimet me grupet e interesit në lidhje me kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga subvencionet e BE-së, ndërsa vështirësitë për të përfituar nga ky fond janë pranuar edhe prej vetë Ministrit të Bujqësisë sipas të cilit një fenomen i tillë ka ndodhur edhe në vende të tjera të rajonit ku përthithja nuk ka qenë më shumë se 10-13% e fondeve në total.



/Ora News.tv/