Një studente 23 vjeçare ka vrarë veten dy muaj pasi pretendoi se ishte përdhunuar.

Kjo ka nxitur zemërimin mbi dhunën seksuale ndaj grave në Afrikën e Jugut.

Khensani Maseko, një studente në Universitetin e Rhodes në Grahamstoën, tha se ishte përdhunuar nga një student tjetër në maj, sipas një deklarate nga universiteti.

Më 3 gusht, ditën kur vrau veten, Maseko postoi një mesazh në mediat sociale.

"Askush nuk meriton të përdhunohet,"-shkruante ajo.

Llogaria e saj në Instagram është fshirë.

Universiteti i Rhodes konfirmoi vdekjen e saj dhe tha se autoritetet mbajtën një takim me prindërit e Maseko kur ajo raportoi në korrik se ishte përdhunuar.

Universiteti tha se ishte dakord që studentja të shkonte në shtëpi në pritje të një hetimi mbi pretendimet e saj.

Por 23-vjeçarja vdiq pak ditë para datës së planifikuar për ty kthyer në universitet, ku do të takohej me personat që hetonin rastin në institucion.

Studenti i akuzuar për përdhunim është pezulluar, por sipas deklaratës vdekja tragjike e Khensanit nuk do ti japë fundit hetimit për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje.

Flamuri i Universitetit do të qëndrojë në gjysmë shtize për të nderuar Maseko.

Ajo do të varroset sot në Johanesburg.

Statistikat tregojnë se dhuna seksuale ndaj grave është një problem serioz në Afrikën e Jugut.

Sipas vlerësimeve të lëshuara në qershor nga shërbimi statistikor kombëtar i Afrikës së Jugut, 138 nga 100.000 gra në vend u përdhunuan në vitin 2016 dhe 2017.

Kjo shifër është ndër më të lartat në botë. Për këtë arsye, disa e kanë etiketuar Afrikën e Jugut 'kryeqytetin përdhunimit në botë'.

Për krahasim, shifrat e vitit 2015 për numrin e përdhunimeve në Zvicër ishin 6.4 raste për 100,000 gra.

Gjithashtu, shkalla e femicidit në vend, vrasja e një gruaje ose e një vajze për shkak se është femër,  është pesë herë më shumë se norma globale.

Vdekja e Maseko ka ndezur zemërimin publik në Afrikën e Jugut, ku gratë shpesh përdorin mediat sociale për të ndarë imazhet e grave që janë vrarë nga partnerët e tyre.

Mijra gra marshuan javën e kaluar anembanë vendit për të protestuar ndaj dhunës me bazë gjinore në vend. Protesta TotalShutDown u mbajt për të bashkuar gratë e Afrikës së Jugut kundër "luftës në trupat e tyre", tha Loyiso Saliso, një zëdhënëse e lëvizjes.


/Ora News.tv/