Studentët e Fakulteti Juridik janë rikthyer të martën në auditoret e tyre për të zhvilluar mësimin. Pas përfundimit  të plotë të protestës, edhe pedagogët u thirrën në komisionin e medias për diskutime. Disa prej tyre pjesë edhe e asamblesë thanë se pas protestës studentët janë më të përgjegjshëm për arsimin. Ndërsa zv/dekani i Fakulteti Histori Filologji Agron Gjekmarkaj kërkoi që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj të japë dorëheqjen nëse ka qenë ai që ka urdhëruar futjen e policisë në ambientet e fakulteteve.

Pas gati më shumë se dy muajsh protestë  edhe studentët e juridikut i janë rikthyer mësimit në fakultetin e tyre.

Për studentët protesta ishte shembull i mirë, por rikthimi në mësim sipas tyre ishte veprim i domosdoshëm.

Studenti: Studentët e ngujuar besoj se morën vendimin më të mirë.

Studentja: Kemi hapësira mjaftueshëm këtu në Universitetin tonë.

Studentja: Kjo situatë u zgjat shumë, në fund e arritëm atë që donim.

Ndërsa pedagogët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës u thirrën në diskutim për protestën e studentëve në Komisionin e Medias. 

Ata thanë se protesta shërbeu për përgjegjshmëri më të madhe ndaj arsimit, por vunë theksin edhe te buxheti, i cili sipas tyre është shumë i pakët për kërkimin shkencor.

Artan Hoxha: Ka qenë një buxhet minimalist aq sa nuk realizonte në të gjitha këto 10 vjet pagesën e plotë të pagave të personelit akademik.Jo më të bëhej fjalë për kërkim shkencor apo nevoja të tjera që arsimi i lartë ka.

Ndërsa zv/dekani i Fakultetit Histori Filologji, Agron Gjekmarkaj, denoncoi futjen e policisë në ambientet e fakulteteve duke fajësuar edhe Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Agron Gjekmarkaj: Nëse është me vullnetin e Ministrit, Ministri duhet të japë dorëheqjen për të qetësuar botën akademike për këtë fyerje që i ka bërë.

Ndër temat e tjera të diskutimit ishte edhe ligji i arsimit të lartë, për të cilin pedagogët shprehën rezerva duke kërkuar ndryshimin e tij.

/Ora News.tv/