Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH),  të kryesuar nga Zsuzsanna Hargitai, Drejtore Rajonale për Ballkanin  Perëndimor dhe  Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për  Shqipërinë.

Në fokus të takimit ishte diskutimi i projektit të Strategjisë së  Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2020-2025, një dokument ky i cili  konturon prioritetet, objektivat dhe programet e mbështetjes, që BERZH-i  planifikon të kryejë në Shqipëri gjatë këtij horizonti kohor. Pas  konsultimeve me aktorët përkatës publikë dhe privatë në vend, kjo  projekt-Strategji do të miratohet dhe do të vihet në zbatim nga BERZH-i  gjatë pesë viteve të ardhshme.

Përfaqësuesit e BERZH-it u ndalën në detaje dhe theksuan mbështetjen  aktuale dhe që do të vijojnë të ofrojnë për zhvillimin e sistemit  financiar dhe sektorin bankar në Shqipëri, si dhe u interesuan të  informoheshin mbi pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë për çështjet e  parashtruara.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko, konstatoi se Banka e Shqipërisë ndan  opinion të njëjtë më BERZH-in mbi sfidat e zhvillimit të vendit, duke e  vënë theksin në mënyrë prioritare në nevojën e rritjes së  produktivitetit dhe të aftësive menaxheriale në ekonomi, në nevojën e  përmirësimit të gjithanshëm të infrastrukturës dhe të klimës së  biznesit, si dhe në nevojën e mbështetjes së zhvillimit të sektorëve, të  cilët ofrojnë potenciale ende të pashfrytëzuara zhvillimi, si turizmi,  energjia dhe agroindustria.

/Ora News.tv/