Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi se vendi do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e 11 dhe 12 korrikut, por se do të anëtarësohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për zbatimin e Marrëveshjes për emrin. 

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Zoran Zaev në Bruksel Stoltenberg tha se bazuar në praktikën e deritanishme negociatat për anëtarësim në NATO zgjasin 1 ose 1 vjet e gjysmë.

"Problemi me emrin bënte hije një kohë të gjatë në rajon, ka frenuar prosperitetin dhe sigurinë, por tani ka mundësi për një të ardhme më të ndritur. Pres që në samitin tonë pas dy javësh, krerët e shteteve dhe qeverive të ju ftojnë të filloni bisedimet për anëtarësim dhe kur të gjitha procedurat brenda vendeve të përfundojnë për ta finalizuar marrëveshjen, ju do t’i bashkoheni NATOs. Pa e finalizuar marrëveshjen, vendi juaj nuk mund t’i bashkohet NATOs në një të ardhme të paparashikueshme. Pra kjo është një mundësi historike, që nuk guxon të lëshohet. Dera e NATO-s është e hapur, ju jeni në prag" – deklaroi Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, shkruan Alsat-m.

Kryeministri, Zaev iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë pozitivisht në referendumin që do të mbahet në vjeshtë, në mënyrë që Marrëveshja për emrin të finalizohet. 


/Ora News.tv/