Drafti i parë i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pritet të jetë gati deri më 4 gusht, kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje, pritet ta dërgojë atë në Bruksel.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Avni Arifi, shefi i Ekipit teknik të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Por, Arifi thotë se ky ekip menaxhues, në bazë të një marrëveshjeje të mëhershme në Bruksel, ka një privatësi të plotë në punë, kështu që edhe Qeveria e Kosovës është privuar nga mundësia e marrjes së më shumë informacioneve.

“Ekipi menaxhues, i cili ka qenë i caktuar që të fillojë draftimin e statutit e ka pasur një pavarësi, që faktikisht hartuesit e marrëveshjes në vitin 2014 apo 2015, i kanë dhënë aq shumë liri, sa që faktikisht nuk kanë qenë të obliguar për të dhënë informacion”, tha Arifi.

“Por, në bazë të informacioneve krejt anësore që i kam, flitet se ata e kanë përgatitur draftin i cili edhe ashtu është dashur të përfundojë para datës 4 gusht, por presim që deri më 4 gusht ekipi menaxhues ta dorëzojë atë në Bruksel”, theksoi Arifi.

Ekipi menaxhues i cili është krijuar për të hartuar statutin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe përbëhet vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb.

Ky ekip ka nisur punën që nga muaj prill i këtij viti.

Ndërkohë, përfaqësuesit e ekipit menaxhues, pas një takimi që kanë zhvilluar të mërkurën me shefin e misionit të OSBE-së, Jan Braathu në Kosovë kanë deklaruar se janë të gatshëm që draftin t’ua prezantojnë instancave të larta politike në Bruksel.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosojeviq ka deklaruar ditë më parë se pavarësisht asaj që e thonë në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj se nuk kanë informata, në Qeveri është raportuar vazhdimisht në lidhje me këtë proces.

“Pres që ekipi drejtues ta hartojë statutin, ashtu siç është përcaktuar me marrëveshjet në Bruksel”, ka deklaruar ai.

Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Me draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Arifit, duhet të pajtohet edhe pala e Kosovës dhe ajo serbe, si dhe duhet të pajtohen edhe grupet tjera që janë të paraparë me marrëveshjen e Brukselit.

Draft-statuti për Asociacionin, shton Arifi, do të jetë një dokument publik ku do të krijohet hapësirë edhe për shoqërinë civile edhe për qytetarë që të shprehen lidhur me përmbajtjen dhe ecurinë e aprovimit të Asociacionit.

Po ashtu, nënvizon ai, statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe më pas do të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtuese për interpretim.

“Janë disa procedura deri në dërgimin në Gjykatën Kushtetuese. Proceduara e parë është të shkohet në Bruksel. Do të bisedojmë, por është pjesë e marrëveshjes së Brukselit që edhe drafti i statutit, edhe dekreti i statutit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të shikohet a është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kjo në çdo variant gjithsesi do të ndodhë kur t’i vjen koha”, shton Arifi.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Ndërkaq, institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, të cilat, sipas Prishtinës, janë bllokuar nga Beogradi.

Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri.

Kurse, pala serbe insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

/Ora News.tv/