Statusi i naftëtarit, Gjiknuri: Me prioritet punonjësit e Ballshit

Statusi i naftëtarit, Gjiknuri: Me prioritet punonjësit e Ballshit

Në 100-vjetorin e Industrisë së Naftës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi nga Kuçova se statusi i naftëtarit po shihet me prioritet, veçanërisht situata me punonjësit e Ballshit, të cilën ai e cilësoi e emergjencë sociale.

Damian Gjiknuri: “Ky proces po vazhdon, e di që mund të ketë pasur pak vonesa pasi kërkesat janë të shumta, ka mungesë dokumentacioni, por njëkohësisht ju them që mbi 900 kërkesa janë në përpunim e sipër dhe janë të gatshme. 

E kemi filluar nga Rafineria e Ballshit, pasi janë në kushte ekstreme dhe ajo industri ka qenë shumë në vështirësi dhe gati në mbyllje. Por ne jemi të vendosur të vazhdojmë me këtë proces me radhë për ta përfunduar."

I pranishëm në këtë aktivitet ambasadori italian Alberto Cutillo tha se historia e naftës në Shqipëri është një tjetër nga shumë kapitujt të lidhjes mes dy vendeve tona.

Alberto Cutillo: “Një marrëdhënie kaq intensive sot sa edhe shumë vite më parë. Zhvillimi teknologjik na tregon ato mekanizmat e parë primitivë me rrota, por pavarësisht progresit teknologjik, sektori i  naftës mbetet i rëndësishëm sot ashtu sikundër ishte një shekull më parë. 

Tani në Shqipëri është bashkuar edhe sektori i gazit me ardhjen e TAP që hap një faqe të re zhvillimi dhe bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipëri.”

Pusi i parë i kërkimit të naftës në Shqipëri filloi shpimin pikërisht 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës Amoretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që ata kishin kryer në vitin 1917. 

Për të shënuar këtë përvjetor u zgjodh jo rastësisht Kuçova pasi përfaqëson qytetin industrial që ka jetuar dhe jeton nga nafta që prej kohës kur kompanitë italiane zhvillonin operacionet e kërkimit.

EMISIONET