Rrëzimi në Komisione i propozimit të LSI-së për statusin e minatorëve është pritur me kritika nga këta të fundit, të cilët thonë, se do të nisin protestat. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri thotë, se projektligji u rrëzua me katër pretendime që nuk qëndrojnë. Ai i kërkoi deputetit Spahiu të këmbëngulë për miratimin e statusit.

Një ditë pasi komisioni i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë rrëzoi propozimin e LSI-së për statusin e minatorit, përfaqësues të sindikatave kanë paralajëmruar protesta kundër qeverisë.

Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Ne sigurisht që do tentojmë të organizohemi sa më shpejt, për të dalë në protesta sepse është një qëndrim skandaloz i mbajtur nga Partia Socialiste dhe qeveria.

Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, bën të ditur, se mazhoranca rrëzoi propozimin me katër pretendime, që sipas tij nuk qëndrojnë.

Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Janë katër argumenta të cilat janë ngritur nga qeveria, që ka një kosto dhe nuk duan të përballen, ka ndeshje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës, që nuk është e vërtetë, krijohen vështirësi, pasi ka akte të tjera ligjore për të drejtat e minatorëve dhe krijohen vështirësi në zbatimin praktik, por që nuk është e vërtetë, dhe i shton punë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe kaq.

Nga ana tjetër, ai i bën apel deputetit Përparim Spahiu që të mos tërhiqet nga propozimi dhe ta dërgojë atë për votim në Kuvend.

Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve: Ne shpresojmë që ai të mos tërhiqet, madje i kërkojmë publikisht Përparim Spahiut të mos tërhiqet dhe ta çojë për votim, pasi ky vendim është një turp i Partisë Socialiste dhe Qeverisë nëse nuk e miratojnë, turp që do i mbetet përjetë.

Këtë të hënë, deputetët e shumicës dhe të opozitës diskutuan projekt-ligjin për statusin e minatorëve të propozuar nga LSI, ku mëe shumicë votash të mazhorancës ai u rrëzua.

Deputetët e opozitës dekalruan, se votimi kundër këtij statusi është kundra interesave të minatorëve dhe ish-minatorëve që e presin atë prej vitesh.

Projektligji mbi statusin e minatorit synon të rrisë pagën minimale për këtë kategori, uljen e viteve të daljes në pension dhe rritjen e mbështjes sociale për minatorët dhe ish-minatorët.

Në industrinë e minierave në Shqipëri deri në vitet ‘90 kanë qenë të punësuar mbi 40 mijë persona ndërsa deri tani në galeritë e minierave në vend kanë humbur jetën 468 minatorë.

/Ora News.tv/