Nis edicioni i 16-të i Tirana International Film Festival. Festivali më i rëndësishëm i kinematografisë në vend ka bërë bashkë 127 produksione, ku filmi më i mirë me metrazh të shkurtër do të ketë mundësinë të konkurojë në “Oscar”.

Nis edicioni i 16-të Tirana International Film Festival, eventi më i rëndësishëm kinematografik në vend. Janë plot 127 produksione kinematografike të cilat do të shfaqen përgjatë një jave mes tyre shumë premiera nga studiot më të mira të Evropës dhe botës. Tirana International Film Festival renditet mes 94 festivaleve më të mirë në botë i cili ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve më të mirë dhe një rekord aplikimesh prej 4000 filmash. 

E pranishme në ceremoninë hapëse të Festivalit të Filmit në Tiranë, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro e quan këtë event artistik si një nga më të rëndësishmit e kalendarit kulturor për vitin 2018.

Edicioni i 16-të i Festivali i filmit u çel me një produksionet më të arrira të kinematografisë botërore. “Na ishte një herë Amerika”, filmi i famshëm i Sergio Leones me protagonist Robert de Niron, erdhi në këtë festival në një version të përmirësuar. Një nga pikat kulmore të evenimentit do të jetë premiera e filmit “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit, fitues në festivalin e filmit në Varshavë. 

/Ora News.tv/