Së shpejti, një stacion treni në Izrael do të mbajë emrin e presidentit amerikan Donald Trump. Ministria izraelite e Transportit deklaroi se kjo është një shenjë falenderimi për kreun amerikan, pas vendimit të tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Izraeli kërkon t’i japë emrin e Donald Trump një stacioni treni, në shenjë falenderimi për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet. Sidoqoftë, vendi ku planifikohet të ndërtohet ky stacion, është po aq polemizues sa deklarata e njohjes nga Presidenti amerikan.

Ministri i Transportit, Israel Katz u shpreh se ai kishte përzgjedhur një ndalesë treni pranë Murit Perëndimor në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit – pikërisht në mes të zonës që palestinezët pretendojnë ta shpallin kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Katz shprehu vlerësimin e tij për vendimin kurajoz dhe historik të presidentit Trump sa i përket statusit të Jeruzalemit.

Zgjerimi nëntokësor i parashikuar për linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë që lidh Tel Avivin me Jeruzalemin është ende në fazën e planifikimit dhe do të duhet më pas të miratohet nga departamentet e tjera të Ministrisë së Transportit.

Lajmërimi u dënua nga liderët palestinezë që tashmë janë të zemëruar për vendimin e Donald Trump për Jeruzalemin.

/Ora News.tv/