Që prej të mërkurës së javës së ardhshme të gjithë pacientët e Kukësit do të kenë mundësi të kryejnë vizita me mjekë specialistë në spitalin rajonal të këtij qyteti duke shmangur udhëtimin deri në kryeqytet apo në qytetet përreth. Drejtori i Spitalit të Kukësit ka bërë me dije se në këtë spital do të vijnë mjekë specialistë nga Spitali Universitar "Shefqet Ndroqi" të cilët do të shërbejnë për pacientët në ditë të ndryshme të javës.

Qytetarët e Kukësit tashmë do të kenë mundësi që të kryejnë vizita me mjekë specialistë në spitalin rajonal të Kukësit.

Sipas Drejtorit të spitalit rajonal në Kukës brenda javës së ardhshme mungesat e mjekëve specialistë do të plotësohen nga mjekët që do të vijnë nga Tirana.

"Ne jemi nën patronazhim nga spitali universitar 'Shefqet Ndroqi', i cili ka marrë përsipër që në bazë të kërkesave tona të na sjellë mjekë specialistë të cilët të shërbejnë pranë qytetarëve tonë në Kukës, në mënyrë që të mos drejtohen në Tiranë në Qendrat Universitare pasi atje është një ngarkesë e madhe dhe të marrin shërbimin e duhur në rajonin  tonë".

Sipas Drejtorit në spitalin rajonal të Kukësit, mungojnë rreth  shtatë  mjekë kryesorë.

"Vinë tre mjekë nga spitali 'Shefqet Ndroqi' që janë nefrologu, reamatologu dhe endokrinologu. Këtë po e themi për të gjithë qytetarët të cilët janë të interesuar, dita e mërkurë është dita e parë e fillimit të kësaj pune që besoj se do të jetë e suksesshme në zgjidhjen e problemeve dhe halleve shëndetësore që ka populli".

Mungesa e mjekëve specialistë në Spiatalin Rajonal të Kukësit ka bërë që pacientët që u nevojitej një ekzaminim mjekësor nga specialistët ti drejtoheshin Spitalit Universitar të Tiranë por edhe në Kosovë.

/Ora News.tv/