Ka mbërritur sërish ora për tu ndeshur me Andorrën, duke iu rikthyer edhe njëherë në vendin e krimit. Por këtë herë do të jetë një ndeshje kruciale dhe që me shumë mundësi do të vendos shumë për vijimësinë e një sezoni të tërë futbollistik të ndërlikuar të kuqezinjve. Andorra nuk është një tokë e panjohur për shqiptarët. Madje atje kemi histori djegëse, të hidhura dhe të papërtypshme. Në vitin 2002 u mundëm 2-0 në një takim miqësor, ku trajneri i asaj kohe, Sulejman Demollari u shkarkua pas humbjes turpëruese.

Më pas në qershor 2010 fituam 1-0 me vendin e vogël në një tjetër test miqësor. Principata e Andorrës ka një popullsi prej 77 mijë banorë dhe është vendi i gjashtë më i vogël në Europë. Por sot ata duan të sfidojnë Shqipërinë, e cila ka një kualitet dhe histori më të madhe futbolli. Fusha do të jetë me bar sintetik dhe për këtë fakt skuadra kuqezi ka zhvilluar dy seanca stërvitore për tu ambientuar me kushtet e reja. Andorra shquhet për jetëgjatësinë e banorëve të saj, të cilët jetojnë mirë në një vend me karakter turistik. Në vitin 2013, Andorra ishte në "top-listën" e vendeve me jetëgjatësinë më të madhe, rreth 81 vjeç.

Po sot, a do të rezistojnë njerëzit e saj në fushën e lojës?

Kjo është pikëpyetja të cilën i frikësohet shumë i sapo emëruar, Ervin Bulku dhe stafi i tij. Vetë futbollistët e kombëtares shqiptare i kanë kokat e nxehta dhe të turbullta pas humbjes 2-0 ndaj Turqisë. Dhe kur gjërat janë me detyrim dhe përcaktim, koha nuk pret. Atëhere edhe ora lëviz më shpejt, sidomos në Andorra. Principata e Andorrës nuk ka ushtri por sot kërkon në "Estadio Nacional" të organizojë një ushtri futbollistike për të përballuar fuqinë e futbollistëve të Napolit, Basel, Panathinaikos e Atalantës.

Të gjitha këto në një stadium me kapacitet me 3005 tifozësh, që në fakt ngjason me një pallat sporti. Sidoqoftë sfida është gati dhe përballë janë pasionantët e bankave, restorantëve dhe menaxherëve të turismit që sjellin mbi 10 milionë turist në vit. Por këto gjëra harrohen në fushën e lojës. Shqipëria kërkon pikët, Andorra lavdinë.

/Ora News.tv/