Shqipëria ka 316 km vijë bregdetare dhe laget nga dy dete, por këto potenciale nuk shfrytëzohen plotësisht.  Veç plazheve, shqiptarët ende nuk i kanë dhënë jetë asaj të gjerësisht njihet si ekonomia e detit. Një shembull për Ministrinë  e Turizmit cilësohet Vlora, ku anije turistike çdo sezon qarkullojnë disa dhjetra mijë turistë drejt Sazanit e Karaburunit, ndaj synimi është që ky model të shtrihet në të gjithë bregdetin.

Ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit mbeten destinacionet trend për tu vizituar në Vlorë.

Jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për të shuar kureshtjen e misterin për dy atraksionet që deri pak vite më parë ishin të ndaluara për civilet.

Po si mund ti vizioni Sazanin e Karaburunin?

Mënyra me e lehtë është përmes detit me anije. Prej disa vitesh këtë shërbim e ofrojnë disa agjensi turistike.

Ato nisën nga Porti Detar i Vlorës, por edhe nga Porti i Jahteve në Orikum, nga Rradhima madje dhe nga bregdeti i Himarës.

Kushton 2000 lekë të reja, vajtje-ardhje.  Por kjo nuk është e vetmja mundësi udhëtimi drejt ishullit.

Ata që disponojnë mjete private ujore, mjafton të paguajnë tarifën hyrëse në kalatë dhe mund ta bëjnë këtë udhëtim privatisht. Aventura nis në orën 10:00 të mëngjesit.

Kamera e RTV Ora në Vlorë udhëtoi drejt Sazanit e Karaburunit bashkë me rreth 200 pushues shqiptarë e të huaj.

Udhëtimi në det zgjat disa orë, ndaj operatorët turistikë kanë marrë masa që ai jetë argëtues.

Turistët kanë mundësinë të kërcejnë nën ritmet e muzikës, të shijojnë një pije  ndërsa marrin rrezet e diellit.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.

Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Karaburuni është ndalesa e parë e turit.

Gadishulli është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar.

25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore.

Por që për turistët dhe pushuesit vendas të shkosh në këmbë ose me automjete në drejtim të plazheve të Karabrunit është tepër e vështirë si rrjedhojë e relievit kodrinor të zonës.

Peizazhi natyror, i gërshetuar me atë historik, e bënë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht.

Bregdeti tepër i thyer, lëndinat që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar.

Gadishulli i Karaburunit, përbën një nga elementët kryesorë të paketës turistike që ofrohen për të huajt.

Në të tashmë kanë filluar të krijohen edhe plazhet e para të menaxhuara nga privatët.

Turistët që kërkojnë të vizitojnë Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan vijnë gjithmonë e në rritje.

Një destinacion i shumëkërkuar për pushues të apasionuar pas bukurive të natyrës por dhe aventurës nga Shqipëria e vende të tjera të botës pa dallim.

Gjatë përgatitjes së këtij materiali, Grupi i RTV Ora kontaktoi me turistë nga Kosova, Maqedonia, Italia madje dhe nga Serbia si dhe nga Dallasi i largët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për ta bukuria që ofron Karaburuni është e mahnitshme.

Mbi 5 mijë e kanë vizituar vetëm qershorin e këtij viti, dhe më shumë se 45 mijë përgjatë sezonit veror të vitit 2018.

Rreth 40% e vizitorëve në Karaburun dhe Sazan ishin shtetas të huaj. Shumë prej tyre premtojnë se do të rikthehen.

Investimet që janë bërë në gadishull i kanë dhënë shtysë turizmit, por ende ka vend për përmirësime kryesisht në lidhje me shërbimin dhe sigurinë në plazhet e krijuara.

Vit pas viti, riviera shqiptare po tërheq edhe vëmendjen e turistëve vip.

Jahte e veliera deri në qindra milion dollarëshe ankorohen në kepet më të qeta, nga ku shijojnë detin e plazhet që vështirë se mund të arrihen nga toka.

Karaburun-Sazan, falë edhe vëmendjes së medias ndërkombëtare për shkak të historisë së izolimit e kanë kthtyer atë në një atraksion ndërkombëtar.

Për të shmangur aksidentet përgjatë pikave më të frekuentuara të parkut detar janë vendosur bovat lundruese.

Ato do të shërbejnë për ankorimin e mjeteve detare që ofrojnë ture në zonë, por edhe te mjeteve të tjera private dhe jahteve me turistë që mbërrijnë në vendin tonë.

Por si të të gjithë vijën bregdetare në sezonet turistike, paligjshmërisë nuk i ka shpëtuar as zonat e Mbrojtura.

Një pjesë e mirë e bizneseve të ndryshme që shfrytëzojnë plazhet apo detin e kanë bërë këtë pa kontratë.

Kjo përkthehet në informalitet në kurriz të buxhetit të shtetit apo bashkisë, e cila këto taksa mund ti përdorë për përmirësimin e shërbimeve ndaj vetë turistëve, por edhe në rrezik.

Pushuesit vendas dhe turistët e huaj kanë mundësinë të pushojnë, por dhe të konsumonin ushqime tradicionale vendase.

35 minuta lundrim dhe jeni në Sazan. Ai është i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar.

Një prej vendeve që gjithmonë ka ngjallur kureshtje për ta parë e vizituar në Shqipëri.

Për vite me radhë kjo ka qenë zonë e ndaluar.

Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli VI p.e.s. me emrin SASON.

Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin.

Ka nje sipërfaqe prej 5.8 kilometër katrorë dhe duket si një copëz e shkëputur nga gadishulli i Karaburunit.

Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër, gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër.

Relievi i ishullit dhe i gadishullit shërben si portë hyrëse në Gjirin e Vlorës.

Ishulli ka një pozicion strategjik në detin Jon.

Legjendat thonë së aty janë zhvilluar beteja të ashpra për ta fituar territorin, madje gjiret e fshehta të ishullit u përdorën nga piratët, për të fshehur plaçkën e grabitur.

Gjatë diktaturës komuniste ishulli u shndërrua në një fortesë të paprekshme që do të kalonte nga një bazë ruse nën komandën kineze, duke mbetur përfundimisht vetëm në drejtimin e pushtetit komunist dhe që sot është kthyer në një pikë turistike.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artileria bregdetare etj.

Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Sot si dëshmi aty janë  3 600 bunkerë.

"Është hera e parë që vizitoj Sazanin. Imagjinoja që do të gjeja shumë bunkerë është mahnitëse të shohësh këtë natyrë, dhe ndërtesa e vjetra për të imagjinuar si mund të ketë qenë këtu vite më parë."

Çdo periudhë ka lënë gjurmët e veta në ishullin e pabanuar, i cili prej vitit 2017 është çelur si destinacion turistik për turistët.

Pas vitit 1997, ishulli u popullua nga baza ushtarake e Marinës Italiane me Guardia di Finanzen, si dhe marinën ushtarake Shqiptare.

Shenjat e bazës italiane janë të dukshme dhe sot.

Për pushuesit Sazanit mbetet një atraksion i vërtet turistik, ndërthurje e historisë me të tashmen.

Ata që nuk e kanë shkelur më parë thonë se mbeten të surprizuar.

Oraret varen nga guida që keni zgjedhur.

Por përgjithësisht turet në ishullin e Sazanit zgjasin deri në 90 minuta.

Disa prej operatorëve turistikë që po i japin gjallëri detit në brigjet e Vlorës ofrojnë si destinacion edhe shpellën e Haxhi Alisë.

Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës.

Mënyra më efikase për të vizituar këtë vend janë mjetet detares si anije.

Cilësohet vendi më i bukur i Parkut Kombetar Detar Karaburun-Sazan.

E quajtur ndryshe edhe shpella ilirike, ajo ka gjatësi 30 m, lartësi maksimale 18 m, gjerësi 12 m dhe arrin në 10 m thellësi.

Sipas legjendës luftëtari dhe detari i shquar ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë.

Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtaret që kalonin nga ato anë.

Në shenjë nderimi edhe sot anijet që kalojnë aty pranë shpellës i bien sirenës.

Përveçse një atraksion turistik, kjo shpellë ka një pamje të mahnitshme, si dhe vlera gjeologjike pasi në të gjenden formacione stalaktitesh që janë krijuar gjatë viteve e shekujve.

Nësë keni një skaf privat atëherë mund të kërkoni përvoja unike edhe në Gjirin e Djallit,  Shën Vasilit e  Shën Janit etj.

Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.

Parku Detar Karaburun-Sazan, përmban rrënojat e anijeve të lashta greke, romake dhe Luftës së Dytë Botërore.

Këto e bëjnë një atraksion më vetë për eksploratorë amatorë nënujorë, speleologë e admirues të natyrës.

22 amfora të paktën 2 500 vjeçare u zbuluan në thellësitë e ujërave të Karaburunit kohët e fundit në kuadër të një projekti të përbashkët shqiptaro- amerikane.

Arkeologët besojnë se ata janë korinthiane dhe datojnë diku mes shekullit të 7-të dhe të 5-të para erës së re.

Zbulimi i këtyre amforave mund të çojë në gjetjen e mbetjeve të anijes që mendohet të jetë mbytur në këtë vend.

Kërkimet disa vjeçare në zonë kanë dhënë rezultate, ndërsa gjetjet e vazhdueshme synohet të përdoret për hapjen e një muzeu nënujor.

Shtimi i numrit të turistëve vit pas viti i ka dhënë jetë edhe industrisë së detit në Vlorë, duke shtuar ndjeshëm edhe numrin e anijeve turistike që ofrojnë shëtitje në Jon.

Këto destinacione dhe udhëtime janë tashmë pjesë e paketës turistike të Vlorës dhe kanë gjallëruar atë që Ministria e Turizmit e quan ekonomia e detit.

Ndaj jo pa qëllim, Vlora është përzgjedhur për të hapur një shkollë të posaçme për lundrimin me vela.

Vit pas viti anijet turistik që lundrojn në jug po po rriten.

Kjo përkthehet në të ardhura për ekonominë zonale, punësim dhe zhvillim i sektorit të turizmit.

Nën shembullim e Vlorës një anije turistike prej pak kohësh ka nisur të lundrojë edhe në brigjet e Durrësit.

Ajo është një lule e parë por e një pranvere të vonuar.

Ndaj Ministri i Turizmit është vënë personalisht në krye të nismave për të sensibilizuar biznesin dhe për ta orientuar atë drejt industrisë së detit.

Vlora është një qytet i bukur dhe ne kemi mundësinë të shohim dhe zbulojmë këto destinacione të bukura.  

"Jam dashuruar me njerëzit dhe natyrën këtu.Unë vij nga Dallas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Është e sigurtë që unë do të rikthehem".

"Jam suprizuar nga numri i lartë i shqiptarëve që flasin anglisht dhe bukuritë e natyrës. Unë të rikthehem sërish në Shqipëri!"





/Ora News.tv/