Spanja "tenis" ndaj Kroacisë, Belgjika kap Zvicrën

Spanja "tenis" ndaj Kroacisë, Belgjika kap Zvicrën

Spanja nuk di të ndalet me Luis Enrique në stol. Skuadra "La Roja"  ka marrë fitoren e dytë në grupin e Ligës së Kombeve pasi shkatërruan me rezultatin tenistik 6-0 Kroacinë.

Që do të ishte një mbrëmje e vështirë për nënkampionët në fuqi të botës u pa që në fraksionin e parë të lojës, me Saul, Asensio dhe autogoli i Kalinic që i dërgoi skuadrat drejt dhomave të zhveshjeve me rezultatin 3-0. Me rikthimin në fushë, Spanja arriti të shënojë edhe tre herë të tjera, fillimisht me Rodrigo, Ramos dhe Isco i cili plotësoi "setin" ndaj Kroacisë.

Me këtë fitore Spanja hipotekon kualifikimin në raundin tjetër, pasi ngjitet në kuotën e 6 pikëve, ndërsa ndiqet nga Anglia dhe Kroacia të cilat nuk kanë provuar ende shijen e pikëve në Ligën e Kombeve.

Fitore bindëse arriti dhe Belgjika, e cila mposhti në transfertë Islandën 3-0. Ishte Eden Hazard që përmes penalltisë zhbllokoi takimin në minutën e 29-të, ndërsa dy minuta më pas ishte Romelu Lukaku i cili dyfishoi shifrat. Në fraksionin e dytë sulmuesi i United kompletoi dopietën personale dhe dërgoi në 3-0 rezultatin e përgjithshëm. Pas kësaj fitoreje, Belgjika iu bashkangjit Zvicrës në vendin e parë në kuotën e 3 pikëve.

Në takimet e tjera Bosnje Herzegovina mposhti Austrinë 1-0. Goli i Edin Dzeko i siguroi fitoren e dytë në grup boshnjakëve, duke hedhur një hap të rëndësishëm për raundin tjetër. Te fitorja u rikthye dhe Hungaria e cila mposhti në shtëpinë e saj, Greqinë 2-1. Ky grup kryesohet nga Finlanda në kuotën e 6 pikëve, pasi fitoi edhe takimin e dytë, atë përballë Estonisë.

Luksenburgu shënoi fitoren e dytë në grupin 2, liga D duke mposhtur në transfertë 3-0 San Marinon. Në barazim pa gola u mbyll vetëm takimi mes Moldavisë dhe Bjellorusisë.

EMISIONET