Sot seanca për Demarkacionin

Sot seanca për Demarkacionin

Demarkacioni me Malin e Zi rikthehet sot në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes, gjë që kërkon 80 vota. Miratimi i kësaj marrëveshjeje është kushti i parafundit për Kosovën për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Kuvendi i Kosovës mban sot në orën 16:00 seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi.

Miratimi i akordit kërkon 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës, por është e paqartë nëse Kuvendi i ka siguruar numrat e domosdoshëm.

Koalicioni qeverisës, mbështetur nga opozitarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përllogarit se ka deri në 79 vota.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, Lista Serbe dhe Grupi i deputetëve të pavarur janë shprehur kundër miratimit të kësaj marrëveshjeje.

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar tre seanca të jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por në asnjërën prej tyre nuk ka arritur të kalojë në fazën e votimit, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për miratimin.

Kujtojmë se marrëveshja në fjalë është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vienë.

Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar tashmë marrëveshjen, por Kosova jo për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Miratimi i akordit është kushti i parafundit i vendosur nga Komisioni Europian që qytetarët e Kosovës të përfitojnë liberalizimin e vizave.


EMISIONET