"Prej të shtunës kemi një problem me presidentin Meta!" Me një gjuhë të ashpër por dhe i drejtëpërdrejtë kryeministri Edi Rama komentoi lëvizjen e fundit të Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës.

Kuvendi u mblodh paraditen e sotme në një seancë jashtë radhe për të votuar dekretin për shkarkimin e Fatmir Xhafajt.  Por ndërsa iu desh vetëm një orë për të firmosur dekretin e shkarkimit  presidenti ende nuk ka firmosur dekretin për emërimin e gjeneral Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm edhe pse kaloi afati 7 ditor.

Në fjalimin që zgjati mbi 15 minuta para deputetëve të maxhorancës, kryeministri tha se veprimi i Presidentit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se ai nuk ka asnjë kompetencë refuzimi të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit por e ka detyrë. Gjithashtu ngriti pyetjen hipotetike që ai, vetë sqaroi se nuk do të donte ta besonte: "Mos është pastërtia kaq skënderbegase që e shqetëson Ilir Metën?! 

Ajo që duket qartë është se marrëdhënia mes Edi Ramës dhe presidentit është e krisur dhe që të mos thyhet tërësisht kryeministri i ka dhënë kohë presidentit të dekretojë Sandër Lleshin

Rama i mëshoi faktit se presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye për mosdekretimin dhe se se ishte gati të pranonte "dorashkën e hedhur  nga presidenti" për të rrëfyer me dyer të mbyllura ose të hapura arsyen e mosdekretimit të Sandër Lleshit.

Madje lexoi letrën që të shtunën presidenti i kishte dërguar Ramës.

 Duke respektuar radhën e lëvizjeve kryeministri tregoi se pas votimit të dekretit të shkarkimit të Xhafës qeveria do i jepte kompentencat Sandër Lleshit për drejtimin e ministrisë së Brendshme nga posti i zv/ ministrit, duke i dhënë kështu dhe "ca ditë kohë presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes pë të hedhur hapin tjetër."


Ja fjala e kryeministrit Rama mbajtur ne seancen e sotme 6 nentor 2018 ku me 75 vota u votua dekreti i presidentit per shkarkimin e Fatmir Xhafes. 

"Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur Kuvendi i Shqipërisë duhet të zgjidhte Presidentin e 7-të të Republikës.
Dhe për hir të vërtetës që kur hyri në Presidencë pas asaj dalldisjes fatkeqe në rrugët e Shqipërisë me flamurin e LSI-së, ai e ka justifikuar thuajse plotësisht votën tonë. Ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka barazpeshuar qëndrimin. Por qysh prej mbrëmjes së të shtunës kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një problem i krijuar nga Presidenti i Republikës në punën tonë si shumicë qeverisëse na ka mbledhur sot këtu.

Puna jonë është të hartojmë dhe miratojmë ligje deri kur të kemi besimin e popullit sovran dhe të qeverisim deri kur të kemi besimin e të paktën 71 ligjvënësve të cilët e mishërojnë dhe ushtrojnë vullnetin e sovranit mes dy raundeve zgjedhore. 

Ne kemi detyrën kushtetuese të  bëjmë këtë punë pavarësisht nëse e kemi ajo jo besimin e kujtdo qoftë tjetër, përfshirë dhe presidentin e Republikës. Kushdo ka të drejtën e vet të mos na besojë, të na kritikojë, të hidhet përpjetë edhe kundër nesh po të dojë, por ama askush tjetër përveç popullit sovran as nuk e ka dhe as nuk e merr dot të drejtën të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës. 

Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12-të kompetencat e Presidentit të Republikës, ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit përsa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit. 

 Është e sigurtë që nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12-të kompetencave të shkruara qartësisht, s'ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës s'do ta kishte lënë pa zbuluar. Edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artilier i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës ministrin e propozuar prej meje, presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Sepse Kushtetuta ia ka thënë copë në një nen të veçantë të tërë presidentëve që janë betuar për të, se, nuk mund të ushtrojnë asnjë kompetencë tjetër përveç atyre që u njihen shprehimisht prej saj dhe iu jepen me ligje të tjera të nxjerra në pajtim me të. Dhe pikërisht pse Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës as shprehimisht, as me nënkuptim dhe lëre pastaj ti ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimin e kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar, presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi pa asnjë referencë ligjore dhe kushtetuese.

Ja letra që mua më ka mbërritur të shtunën mbrëma: 

Lënda: Kthim përgjigje mbi propozimin e emërimit të zotit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm. 

Zoti Kryeministër, në përgjigje të shkresës suaj numër 494 datë 27.10.2018. 

Lënda: Propozim për emërim ministri, nëpërmjet të cilës zoti Sandër Lleshaj i propozohet Presidentit të Republikës për tu emëruar ministër i Brendshëm, dëshiroj t'ju bëj me dije se: 

Presidenti i Republikës në cilësinë edhe të kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në mbështetje të Kushtetutës, nuk krijoi bindjen e plotë për ti dhënë besimin e tij kandidaturës së zotit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm. 

Në këto kushte Presidenti i Republikës, nuk mund t'i përgjigjet pozitivisht propozimit tuaj për emërimin e zotit Sandër Lleshaj në detyrën e ministrit të Brendshëm. 

Me respekt Ilir Meta. 

Se ku është mbështetja këtu nuk thuhet.

Pra Presidenti i Republikës nuk ka krijuar bindjen e plotë për ti dhënë besimin e tij kandidaturës së Sandër Lleshit. Në çertifikatë kanë të njëjtën gjë. Ky e ka Lleshaj ai e ka Metaj.

Keqkuptimi i madh i presidentit të Republikës është se unë nuk i kam propozuar atij kandidat për ministër. Jo! Unë Presidentit i kam çuar dekretin për një ministër jo kandidat. 

 Sipas Kushtetutës presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë por ka detyrën ta miratojë. Pra presidenti i Republikës sonë Parlamentare përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra në pajtim me të ia përkufizojnë qartësisht, dhe një nga këto është dhe detyra për të dekretuar qeverinë si dhe çdo anëtar të saj sipas kërkesës së kryeministrit. Madje brenda 7 ditësh  me një dispozitë taksative nuk lë asnjë vend për intepretim.

Ndërkohë unë sinqerisht nuk e kuptoj pse presidenti i Republikës e ndjen të nevojshme, madje me deklaratë zyrtare se ai nuk do të lejojë për të sfiduar autoritetin e tij, sepse unë nuk e kam parë gjëkundi një përpjekjen të tillë.

Personalisht jo vetëm që nuk di të kem bërë ndonjëherë një përpjekje për të sfiduar autoritetin e Presidentit të Republikës por as në mëndje nuk do ta çoja dot një akt kaq të padobishëm për njerëzit, qeverinë për mua vetë.

Natyrisht që të gjitha këto unë ia kam thënë presidentit të Republikës. Dhe pardje kemi pasur një shkëmbim të hapur, pozitiv dhe në këndvështrimin tim pozitiv, pavarësisht mosdakordësisë që kishim dhe kemi në raport me temën.

 Megjithatë, unë nuk pata dhe nuk kam asnjë objeksion pse për gjeneral Sandër Lleshin u kërkuan letra pastërtie si për asnjë ministër në historinë e Republikës, në adresa të pavizituara ndonjëherë më parë nga postieri Presidencës. Madje e falenderoj dhe publikisht presidentin për hulumtimin tejet skrupoloz të së kaluarës së largët e të afërt të ministrit të Brendshëm që ai la pa dekretuar, pavarësisht pastërtisë aq të stërvertetuar të figurës së tij, sa një mëndje e keqe mund të thotë: Ore mos është pikërisht kjo pastërti kaq skënderbegase që e shqetëson Ilir Metën?! 

Kjo s'është mëndja ime. Mua mendja ma thotë se kjo nuk mund të jetë e vërtetë nuk ka sesi dhe kjoduket hëpër si një  keqkuptim i pafajshëm me Kushtetutën në kërkim të një bindjeje të plotë lidhur me ministrin e Brendshëm në një moment kur  gjëndja e dëshpëruar e opozitës dhe humbja e plotë e qetësisë së saj e shqetëson me plotë të drejtë presidentin e Republikës.   

Koha e plotë që mori presidenti duke shfrytëzuar edhe minutat e fundit të 7 ditëve me radhë dhe fakti që në këtë vend ku dhe xhamia futet në thes me budallallëkun më të madh dhe prifti bëhet me barrë me lehtësinë më të pashoqe,  për gjeneral Sandër Lleshin as vetë kinoshqupi nuk prodhoi jo ndonjë video apo audio, por qoftë dhe ndonjë llaf goje për 7 ditë me radhë nuk janë pak si fillim i mbarë për një ministër të Brendshëm. 

Prandaj unë vet nuk e kam humbur besimin se presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë edhe pse afati ka skaduar.

Ashtu siç nuk e kisha humbur besimin se një tjetër figurë e pastër e kyçur, prej një viti, në sirtarin e propozimeve për presidentin, do të dekretohej në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, pavarësisht burimeve të sigurta të çimkave.net të kohës tonë, llafe pazaresh të vjetra që i hedhin përditë kazanit mediatik, thashetheme dhe hakërrima të supozuara presidenciale në 360gradë.

Sot Helidon Bendo u dekretua drejtor i SHISH jo pse populli thotë më mirë vonë se kurrë, por sepse çdo reflektim pozitiv është për tu përshëndetur aq më tepër kur reflekton institucioni i presidentit të Republikës unë e përshëndes dekretin presidencial dhe i uroj përzemërisht drejtorit të SHISH të vijojë me sukses punën e nisur dhe ta çojë me shpejtësi përpara për reformimin e atij institucioni kyç kombëtar.

   Dhe ky lajm i parë i mëngjesit të sotëm ma përforcoi shijen e mirë të takimit që pata me presidentin dhe ku dola me ndjesinë pozitive të nevojës për mirëkuptim dhe për një zgjidhje konstruktive edhe pse është e qartë që nuk ishim aspak në një mëndje dhe ende nuk jemi lidhur me arsyen e mos arsyes së dekretimit të ministrit të Brendshëm. Të njëjtën ndjesi pozitive pata dhe kur lexova deklaratën e djeshme të presidentit, pavarësisht mbylljes së dhimbshme të saj me atë shprehjen:  "e bindjes se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar një herë e përgjithmonë"

Në një tjetër kohë dhe vënd nuk do e kisha mbytur dot brenda vetes replikën që më erdhi në majë të gjuhës për një mbyllje kaq të pazakontë për një deklaratë presidenciale. Nuk do e kisha lënë pa e komentuar edhe referencat e sforcuara që presidenti i bën vetes kohët e fundit si Komandat i Përgjithshëm, apo kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, qoftë tek letra e refuzimit qoftë tek deklarata lidhur me takimin tonë shumë pozitiv. Por kjo kohë dhe ky vend imponojnë përqëndrim tek rrugëdalja nga situata e paprecedentë që është krijuar prej refuzimit të paprecendetë të Presidentit të Republikës për të firmosur dekretimin e një ministri. Ky është një moment delikat sepse është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm institucional i vendit.

Uroj me gjithë zemër që e gjithë kjo të mos bëhet me një qëllim që të shkojë përtej dekretit për gjeneral Sandër Lleshin.

Këtë ia thashë dhe presidentit shumë sinqerisht por koha të mos e sjelltë që më duhet ta ndaj me shqiptarët pse po e ndaj me shqiptarët këtë urim sot.

Unë e di shumë mirë, e dinë të gjithë. Shqipëria ka parë shumë dhe shumë më keq se kaq. Shqipëria ka parë kryeministra që talleshin me presidentët, apo i thoshin publikisht presidentit horr bulevardi. Shqipëria ka pasur presidentë që nuk mblidhnin dot këshillin e sigurisë kombëtare se nuk u shkonte kush në takim apo që betoheshin me mustaqe para popullit sovran dhe pastaj i shërbenin të rruar nën sqetullën e sovranit  pa popull.  Ehu! Sa ka parë dhe kaluar Shqipëria krahasuar me këtë furtunën në gotën e besimit dhe të mosbesimit të një ministri të brendshëm i cili, si asnjë nga paarardhësit e tij disponon çertifikatën më të lartë të sigurisë së NATO-s, por ne nuk kemi qenë si asnjëherë që ata që i detyruan të largohen nga pushteti para 5 vitesh dhe as si ata që na detyruan ti largojmë nga koalicioni para një viti.

Dhe as jemi ne që ata që krisjet i kthejmë në thyerje pa çka se kemi dhe ne tonat. Nuk diskutohet. Krisja në këtë rast nuk është personale, as politike por kushtetuese. Dhe ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore dhe do të bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur. Urojmë që dhe nga ana e presidentit të gjejmë dëshirën dhe durimin për të mos e çuar krisjen në thyerje.

Sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër është në të mirën e vendit, dhe të gjithëve bashkë ta shmangim. Kjo është e shmangshme.        

Është e qartë, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte në rindërtim për shkak të reformës së thellë, dhe aq shumë të padëshiruar nga shumë të tjerë, jo nga presidenti, në drejtësi,  nuk do të ishim përpara kësaj vështirësie që sa është artificiale aq dhe serioze.

Por fakti që mungon Gjykata Kushtetuese, fakti që punohet ditën dhe natën për ta bllokuar reformën në drejtësi nuk është mungesë e pakapërcyeshme për ne. Ne duhet vetëm të kemi dëshirën për mirëkuptim dhe e kemi. Durimin për t'i dhënë zgjidhjen në radhë të parë me mirëkuptim, dhe e kemi vendosmërinë për të arritur qëllimin që është baza e ekzistencës, mbrotja Kushtetutës dhe e kemi. Në këto të treja mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është e kapërcyeshme. Nëse edhe presidenti i Republikës nuk do i mungojë qoftë njëra nga këto të treja, dëshira për mirëkuptim kjo krisje zhduket në pak kohë.

Sidoqoftë ne do i bëjmë hysmetin këtij procesi dhe do të vazhdojmë të komunikojmë me presidentin në ditët në vijim.

Këtu kam një ndjesë dhe realisht shumë ndjesë, presidentit në radhë të parë, nëse çka sapo do të shtoj këtu në kllapa është sajesë mediatike por meqë më informuan dhe prapë e konfirmova sot, duke qenë se vetë nuk i disponoj në ekranin e shtëpisë kanalet e klubeve mediatike të Shqipërisë. Që përmes një gazetari në një klub mbrëmë, shefi i kabinetit të Presidentit ka hedhur me sms dorashkën presidenciale për t'iu drejtuar grupit tonë parlamentar apo gjithë Kuvendit, nuk e di. Me dyer të mbyllura për të rrëfyer arsyen e vërtetë të mos dekretimit, që mos o zot… mos qoftë ajo që unë ende nuk e besoj që ma kanë dëgjuar veshët, në takimin me të. Madje jam gati të pranoj që kam problem unë me veshët përpara se të pranoj që ma ka thënë Presidenti i Republikës mua atë arsye, në vendin ku unë jetoj me kujtimet dhe ëndrrat e mia, mirëse të vijë zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura apo të hapura, vetëm me ne apo bashkë me gjysmën e familjes tonë politike këtu në parlament, gjithçka që e ka mbajtur përbrenda, me shumë gjasë, pa arritur të mos më thotë as mua në sy, por mos qoftë ajo që më ka thënë mua, larg qoftë. Çdo që mund ta përballoj, por një president qesharak nuk e përballoj dot, për atdheun tim.   

Më vjen mirë që ne, këtu, kemi dakordësi të plotë, kur dëshira për mirëkuptim shumë kujt i ngjan sio dobësi, durimi për të gjetur një zgjidhje shumë kujt i ngjan pamundësi, vendosmëria në arritjen e qëllimit shumë kujt mund t'i ngjajë si vetëngushëllim përsa kohë presidenti i papranueshëm për ne qëndron përballë nesh si fakt i kryer, por më besoni nuk është kështu.

Koha më ka mësuar të mos e them fjalën e fundit të parën dhe vendi më ka mësuar që ta respektoj radhën e lëvizjeve. Sot le të respektojmë shkarkimin e Fatmir Xhafës, të cilin e falenderoj  dhe një herë për kontributin që dha, më pas do të vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm të refuzuar nga presidenti për dekretim.  Natyrisht në  drejtimin e ministrisë së Brendshme si zv/ ministër dhe do ti japim ca ditë kohë jo vetëm presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë por dhe vetes pë të hedhur hapin tjetër.

Dua ta mbyll fjalën time para jush duke ju falenderuar ju dhe të gjithë ata të njohur dhe panjohur që përmes mesazheve dhe komenteve e kanë shprehur me një forcë të madhe gjeneralin që nga sot do të drejtojë punët e brendshme të Shqipërisë. Kam shumë besim se ai nuk do të zhgënjejë askënd me punën e tij por dhe do i japë një shtysë të fortë dhe të domosdoshme përpara punëve të brendshme.

Shtatë ditët e pamjaftueshme që presidenti mori për të krijuar bindjen e tij, mua më konsoliduan bindjen time se gjeneral Sandër Lleshi në krye të ministrisë së Brendshme është njeriu i duhur, që vjen në kohën e duhur dhe gjendet në vendin e duhur  si përfaqësues i shumicës së duhur sot dhe nesër në Republikën e Shqipërisë.










/Ora News.tv/