Do të kryhet sot në spitalin Santa Maria Della Misericordia të Udines autopsia mbi trupin e kapitenit të skuadrës së Fiorentinës, Davide Astori, i cili u gjet pa jetë në dhomën e hotelit ku skuadra e tij ishte grumbulluar në pritje të zhvillimit të ndeshjes  Udine- Fiorentina.

Për mjekun ligjor,  vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore nga një atak kardiak. Nuk është gjetur asnjë anomali në dhomën e tij të hotelit por megjithatë Prokura e Udines ka vendosur të hap një proces hetimor me hipotezën e një vdekje të qëllimshme".

"Është një akt i detyrueshëm për të zbardhur motivet e kësaj vdekje tragjike," deklaron prokurori i Udines Antonio de Nicolo. Deri më tani nuk ka asnjë përgjegjës e asnjë person që do të merret në pyetje por ne duhet të hetojmë nëse vdekja e tij mund të parandalohej e nëse mund të perceptoheshin paraprakisht problemet e tij shëndetësore."

"Motivi i vdekjes është një atak në zemër", thotë prokurori, "por ky mund të shkaktohet dhe nga faktorë të jashtëm, prandaj dhe po hetojmë për gjithçka."

Ditën e mërkurë trupi i Davide Astorit do të udhëtojë drejt qëndrës teknike të Federatës Italiane të Futbollit në Coverciano ku do të zhvillohen dhe homazhet e rastit.

Ditën e enjte në katedralen Santa Croce të qytetit të Firenzes do të zhvillohet ceremonia e varrimit të tij.

Kryetari i Bashkisë së Firenzes ka shpallur ditën e enjte ditë zije për qytetin.

Ndërkohë UEFA ka informuar se prej ditës së martë deri të enjten në të gjitha fushat e Champions dhe Europa Legaue do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të kapitenit të Fiorentinës.

Klubi i Fiorentinës ka informuar gjithashtu se ka vendosur të rinovojë për 4 vite të tjera ashtu siç kishin vendosur paraprakisht kontratën me Davide Astorin e që do të vihet në dispozicion të bashkëshortes dhe vajzës së tij 2 vjeçare.


/Ora News.tv/