Soreca takim me Bashën në selinë e PD-së

Soreca takim me Bashën në selinë e PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar këtë pasdite në zyrën e tij me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.

Edhe pse një takim i mbyllur për mediat, në qendër të diskutimeve duket se ka qenë kriza politike në vend, ku opozita prej afro dy muajsh ka djegur mandatet dhe ka paralajmëruar se nuk do të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Takimi i diplomatit europian me Bashën vjen pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar.

Përfaqësia e PD  nënshkroi paktin me 10 pika fillimisht me republikanët e kryesuar nga Fatmir Mediu, më pas me Agron Dukën e PAA, Vangjel Dulen e PBDNJ, Nard Ndokën e PD, Dashamir Shehi të LZHK, Shpëtim Idrizin e PDIU dhe në fund me Monika Kryemadhin e LSI.

Në marrëveshje nënvizohet se  partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  E për këtë rruga e vetme shihet formimi i një qeverie tranzitore me mandat të posaçëm.

Në marrëveshje theksohet se nuk do të lejohen zgjedhje farsë të organizuar nga qeveria e Edi Ramës. Qëndrimi që u theksua dhe prej Monika Kryemadhit dhe  Lulzim Bashës



EMISIONET