Inva Mula është një prej sopranove shqiptare që arriti famë botërore pasi u largua për në Paris për të ndjekur ëndrrën e saj. Ajo viziton shpesh Shqipërinë duke marrë pjesë në evente të ndryshme, ku së fundmi u bë pjesë e ekspozitës ‘Unë jam shqiptar’ në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit. Në një intervistë me gazetaren Flutura Tota, Inva foli për eksperiencën e saj dhe për këshillat që do i jepte gjithë artistëve të rinj.

Inva Mula: Është emocion të jesh këtu se shikon një pjesë shumë të vogël të diasporës shqiptare, por një pjesë vërtetë shumë të bukur me të cilën trajnohemi dhe është diçka shumë emocionuese për arsye se këtu sheh shumë artistë, shumë shkrimtarë, shkenctarë, njerëz të politikës, njerëz që e kanë dashur Shqipërinë, që e duan dhe i japin një kontribut për ta njohur.

Flutura Tota: Ka qenë shumë e vështirë ti mbushësh mendjen botës që ne shqiptarët vlejmë?

Inva Mula: Në fakt mendja mbushet me vepër, me talent dhe me punë të madhe. Nëse e kanë bërë një gjë të tillë, besoj se ka qenë një rrugë e drejtë.

Flutura Tota: Çfarë do i thonit gjithë të rinjve të cilët duan të ikin jashtë Shqipërisë dhe të shpalosin talentin e tyre? Cila është këshilla juaj?

Inva Mula: Unë mendoj që sot të rinjtë shqiptarë e kanë rrugën e hapur, talenti është diçka që ti nuk e mban dot. Flas për fushën e artit, një njeri i talentuar, një artist ka nevojë që ta shikojë skenën e tij në mbarë botën, nuk mjaftohet në një skenë të vetme. Artisti vetë në përgjithësi është një emigrant, kudo që të jetë është duhet të shkojë diku tjetër për ta provuar jetën. Për artistin e ri shqiptar duhet shumë punë, duhet një formim shumë i mirë, një seriozitet shumë i madh për arsye se skena botërore kërkon shumë, por është e hapur për të gjithë. Është një konkurencë shumë e madhe, por asgjë nuk është e pamundur.

Flutura Tota: Çfarë duhet të bëjë Shqipëria e madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë nëpër botë?

Inva Mula: Unë mendoj që deri tani ne kemi mbajtur atë peshën e Shqipërisë, giithë këto figura të shquara por çdo shqiptar i thjeshtë, i cili punon me dinjitet atje ku është mendoj që kemi mbajtur një peshë shumë të madhe të vendit tonë. Shqipëria është plot halle, ka shumë probleme të tjera. Ajo që ne sot pas gati 3 dekada të këtij emigracioni, do të doja të bënte diçka për brezin e dytë, për brezin e fëmijëve tanë të cilët kanë lindur jashtë dhe e kanë Shqipërinë me ato pak vizita që i kanë bërë. Duhet mbajtur ndoshta me programe për të rinjtë, për ti parë, jo të jetojnë këtu se ato janë programuar të jetojnë në vendet ku kanë lindur, por për ta mbajtur gjallë këtë lidhje me Shqipërinë, që të mos jetë lidhja vetëm me gjuhën e prindit, por me një Shqipëri që ndoshta duan ta shohin të zhvilluar.

Duke folur për fillimet e saj, ku të gjtihë e identifikonin si shqiptarja, Inva tregoi: “Flasim për 27 vite më parë ku Shqipëria nuk njihej absolutisht jo dhe u identifikova se isha e përveçme, nuk kishte të tjerë dhe ndjeja një peshë. Shumë shpejt mu dha një përgjegjësi shumë e madhe nga situata që u krijua se përfaqësoja jo vetëm Invën, por shtetin, kombin shqiptar. E mbaj mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe, mundohet ta bëj këtë punë sa më mirë, mundohem të jem një shembull për gjithë gjeneratat e tjera dhe them që profesioni i artistit e ka një peshë të madhe se është kudo në skenë, në vëmendje dhe besoj që ashtu si mua e bëjnë shumë artistë shqiptarë sot në botë.”

Por, si Inva, në shekuj ka pasur edhe plot figura të tjera që kanë përfaqësuar Shqipërinë, që nga rilindasit deri tek emrat e rinj që kanë korrur suskese në skena e fusha të ndryshme të jetës.

/Ora News.tv/