"Sokaku i të Marrëve", shfaqja e Ansamblit Popullor, frymëzuar nga veprat e Ismail Kadaresë pati premierën në Gjirokastër. Banorët e qytetit të gurtë por edhe turistë të shumtë shijuan për rreth 2 orë, në shfaqje me këngët e vallet më të njohura të jugut. Drejtorja e TOB, duke e cilësuar një përvojë unike, tha se nga koncertet në rrugicat e Gjirokastrës janë hedhur themelet e një festivali të mundshëm folklorik.

Shfaqja “Sokaku i të marrëve”,e Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve që vjen si frymëzim nga veprat e Ismail Kadaresë pati premierën në Gjirokastër.

Odeoni Bashtea i teqesë ishte mbushur si kurrë më parë nga qytetarët gjirokastritë e turistët e huaj që po qëndrojnë në qytetin e gurtë.

Në  karaktere të  nxjerra nga romanet e Kadare duket se flasin  me gjuhën e këngës e valleve popullore.

Orkestra e Ansamblit Popullor, trupa e valleve, kori, solistët sollën për të pranishmit motivet më të njohura të zonave të jugut, duke krijuar një atmosferë të veçantë mes spektatorëve.

Por nga shfaqjet në sokakët e Gjirokastrës mund të jenë hedhur themelet e një Festivali të ardhshëm folklorik, siç thotë drejtorja e TOB, Zana Çela.

Premiera erdhi në kuadër të turit që teatri i Operas dhe Baletit ka ndërmarrë në zonat turistike më të frekuentuara ku do të mbahen rreth 70 shfaqje në ambiente të hapura.

/Ora News.tv/