Në duart e Gëzim Hidrit, guri humbet fortësinë dhe i përshtatet pasionit të artistit që e shndërron atë në objekte të veçanta për syrin.

Mjeshtri i gurit çeli të hënën ekspozitën vetjake. Presidenca i vendosi në dispozicion ambientet ku u bënë bashkë të afërm e dashamirës së artit të tij.

Hidri ekspozoi plot 37 punime.

Hidri: Është një ekspozitë me gurë natyralë, gurët janë marrë kryesisht të gjithë kryesisht nga vendi jonë. Brenda gurit unë jam munduar të mpreh mendjen, sigurisht tek enët e gurit. Kurse tek skulpturat jam munduar gjithmonë të latoj kohën.

Por vepra më e arrirë për të është mozaiku i Presidentit të ekipit të futbollit Çelsi, Roman Abramoviç, punim që i ka marrë 9 vite e 9 muaj kohe nga jeta e tij.

Hidri: Është punuar si qilimi i Penelopit, 9 vjet e 9 muaj. Tek ai mozaik janë vendosur 50 gurë sot, të nesërmen janë hequr 70. Janë vendosur pasnesër më tepër. Prish, vër derisa jam munduar të gjej atë më perfekten, nuk mund të lëviz më.

Por ky nuk do të jetë mozaiku i fundit. Nga duart e Gëzim Hidrit do të marrë jetë një tjetër vepër këtë rradhë për shenjtoren shqiptare Nënë Tereza.

Hidri: Unë Nënë Terezën do ta bëj nga sandalet tek shamia e saj. Unë dua të bëj Nënë Terezën që ti duket shpirti i madh. Nuk ka rëndësi sa të madhe mund ta bësh, e rëndësishme është që kush ta shikojë të thotë është ringjallur, ka ardhur prapë Nënë Tereza në përjetësi.

Ekspozita me 37 punimet e Gezim Hidrit mirëpret vizitorë deri më datën 27 prill.


/Ora News.tv/