Lajme të këqija për Skënderbeun. Skuadra korçare nuk do të ketë të gatshëm për një kohë të gjatë një ndër lojtarët më esensial të organikës së trajnerit Orges Shehi, Dejvi Bregun.

Fitorja 2-1 në miqësoren me Tiranën i kushtoi shumë bardhekuqve, pasi numri 1 i sulmit të tyre u dëmtua në fushën e blertë, pas një përplasje të fortë me Turtullin në minutën e 25-të. Fillimisht u mendua se nuk bëhej fjalë për një dëmtim serioz, por më pas stafi i klubit raportoi se 23 vjeçari ka pësuar një frakturë në krah dhe duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Koha e rikuperimit të lojtarit parashikohet të jetë 3 muaj, një lajm ky që ka ndezur alarmin në kampin e kampionëve në fuqi të Superiores, të cilët tashmë duhet të hidhen në sulm për të gjetur zëvendësuesin e lojtarit në këtë merkato dimërore.

/Ora News.tv/